Muaji nëntor cilësohet nga populli shqiptar si muaj i “shenjtë” për datat historike që lidhin kombin tonë me këtë muaj. Por në Berat ky muaj ka vlera edhe më të mëdha e sidomos në aspektin sportiv pasi FK Tomori feston 95-vjetorin e tij. Në fillimet e saja u krijua si një shoqëri artistiko-sportive ashtu si ka ndodhur me gjithë skuadrat e tjera shqiptare me emrin Shoqëria Tomori, ku futbollin që nga fillesat e kësaj shoqërie mori rolin kryesor ashtu si vazhdon të jetë edhe sot. Tomori ka ndërtuar një identitet dhe histori të vetën në futbollin dhe sportin shqiptar por pa e diktuar këtë histori thuajse në asnjë moment. 90 vite më vonë FK Tomori është kthyer në një simbol të qytetit të gurtë njësoj si kalaja, Osumi dhe pasuritë e tjera të këtij qyteti me histori të hershme edhe në sport.

Krijimi i Shoqërisë Tomori.

Hapat e parë të sportit më popullor në Berat vijnë në fillimet e shekullit të XX. Shumë student beratas që studionin në Perëndim e sollën këtë sport në qytetin e Beratit dhe bashkë me të edhe topa dhe rregullat e tij. Shumë shpejt beratasit u dashuruan me këtë sport që shumë shpejt u kthye në një nga simbolet e qytetit. Masivizimi i këtij sporti solli edhe krijimin e shoqërive sportive të para në bazë lagjeje. E para ishte “Çunat e lumit” në vitin 1913. Ky shembull u ndoq edhe nga djemtë e lagjeve të tjera të qytetit që krijuan shoqëritë e tyre si: “Vakëfi”, “Kalaja”, “Tigri” etj. Kështu futbolli u kthye në një aktivitet të rëndësishëm të jetës së të rinjve të Beratit. Më pas nën shembullin e shoqërisë “Vllaznia” në Shkodër edhe në qytetin e njëmbinjë dritareve u krijua një shoqëri artistiko-sportive me emrin “Tomori” dhe këtë herë jo në bazë lagje por në bazë qyteti. Takimi i 18 të rinjve beratas në ambientet e shkollës “Mangalem” zhvilluan një takim duke ngritur kështu edhe kryesinë e shoqërisë “Tomori”. Kryetar i saj u zgjodh Zyhdi Doko dhe sekretar Shyqyri Lakra, ndërsa të tjerë anëtar që kanë shënuar historinë e krijimit të këtij klubi ishin Lilo Xhimitiku, Andon Myzeqari, Alqiviadh Shyti etj. Në këtë mbledhje u miratua programi vjetor, statusi dhe flamuri i shoqërisë(dyngjyrësh i bardhë dhe ngjyrë qielli). Për të nderuar këtë vendim u zhvillua edhe një minikampionat mes shoqërive me bazë lagje ashtu si veprohej edhe më parë. Aktivitetet e para të kësaj shoqërie zhvilloheshin në “Milet Bahce” mes shoqërive të lagjeve. Ndërsa dy muaj pas krijimit, Tomori zhvilloj edhe të parën sfidë kombëtare kundra Tiranës në një miqësore të mbyllur 2-2 në Berat dhe sfidë e ndjekur nga 1200 tifozë. Për një periudhë 2 vjeçare kjo shoqëri mbajti edhe emrin”Muzakaj”, e cila në programin e saj sërish futbollin e vlerësoj si sportin pararojë. Madje ndryshimi i emrit solli edhe ndërrimin e parë të stemës(në vitet 2000 ndërrimi I shpeshtë i stemave tek ky klub do të bëhej objekt artikujsh edhe për mediat e huaja).

Tomori në epokën e parë të jetës së tij mes sukseseve dhe dështimeve.

Pas disa aktiviteteve të zhvilluara me shoqëritë e qyteteve të tjera, Tomori siguroj edhe pjesëmarrjen në të parin Kampionat Kombëtar në vitin 1930 por duke e nisur nga Kategoria e Dytë, të cilën e mbylli si kampion.  Kur skuadra ishte rikthyer sërish të mbante emrin Tomori. Kështu sezonin e parë në Kategorinë e Parë e zhvilloj pikërisht në Kampionatin e Dytë Kombëtar. Në vitet ’30 nisi përherë të parë edhe “merkato” për beratasit që afruan pranë vetes edhe futbollist nga Tirana, Peja, Gjakova, Kavaja ndër të cilët u dallua Jani Kosta që erdhi nga Vlora dhe më pas do të bëhesh edhe kapiten e trajner i kësaj skuadre. Në nder të asaj që ai ka dhënë për këtë skuadër stadium i Beratit ka mbajtur për pak kohë edhe emrin e tij. Interesant ishte fakti që skuadra e Tomorit për shkak të mungesës së infrastrukturës për sfidat në transfertë udhëtonin me aeroplan. Në periudhën e parë mes dy luftërave botërore shpesh skuadra beratase u prek edhe nga kriza ekonomike, e cila kalohej falë ndihmës në franga ari të vet qytetarëve beratas. Trofeu i parë i fituar nga Tomori ishte kupa “Iliria” një triangolare e hershme mes Tomorit, Apolonisë dhe Lushnjes. Emrat më të njohur që kanë kontribuar për Tomorin në këto vitet e para ishin futbollist si: Stavri Janinoti, Liko Kuçova, Maku Xheblati etj. Madje në vitin 1942 kur u zhvillua dhe i pari Kampionat Mbarëkombëtar edhe me pjesëmarrjen e skuadrave nga Kosova nën ndikimin e pushtuesit italian, Tomori ishte një ndër skuadrat më të mira të kampionatit. Ndërsa aktivitetet ndërkombëtare të periudhës përpara luftës ishin vërtetë me pikatore dhe këto zhvilloheshin kryesisht me skuadra të vendeve fqinje si ato malazeze apo maqedonase(edhe në këtë rast skuadra të qyteteve shqiptare të këtyre vendeve). Ndërsa gjatë luftës ndeshjet me skuadra “të huaja” mund të cilësoheshin ato kundra skuadrave që krijonte pushtuesi italian për të mbajtur gjallë aktivitetet sportive, si: AIPA apo Aviacioni. Madje për të treguar edhe “dashurinë” e beratasve për futbollin për të përshëndetur mbajtjen e punimeve të “Qeverisë Demokratike të Beratit” u zhvillua takimi miqësor mes Tomorit dhe forcave partizane.

Ndryshimet komuniste nisin të prekin dhe sportin, ndërsa Tomori fillon të vjel sukseset e para.

Skuadra e re e Tomorit e pas Luftës së Dytë Botërore ishte e riformatuar krahasuar me atë të para luftës pasi shumë prej futbollistëve që kishin mbajtur peshën e kësaj skuadre ishin larguar nga Tomori apo nga futbolli i luajtur. Skuadra zhvilloj shumë takime miqësore përpara nisjes së kampionatit të parë të pas luftës. Në sfidën hapëse të kampionatit të vitin 1945 Tomori pëson një humbje “dërrmuese” kundra skuadrës që më pas do të shpallej kampione, Vllaznia 0-9. Shtatë nga golat i shënoj një nga emblemat e futbollit shqiptar, Loro Borici. Pas luhatjeve të para Tomori rikthehet të fitoj titullin kampion i Kategorisë së Dytë në vitin 1950. Emra të rinj të nisën të dallohen tek kjo skuadër si Spiro Valle, Pirro Xheblati, Bajram Qojle etj. Ndërkohë pas dy vitesh në Kategorinë e Parë në Berat ashtu si në gjithë vendin tonë do të ndodhte ristrukturimi I shoqërive sportive ku edhe futbolli do të prekej nga këto ndryshime. U shkri Shoqëria Tomori dhe në vendin e saj u krijuan tre shoqëri sportive, të cilat ishin Shoqëria Puna, Spartaku dhe Dinamo. Kjo ndihmoi në masivizimin e futbollit në këtë qytet por jo në rritjen e cilësisë së tij pasi mungesa e infrastrukturës sportive dhe specialistëve nuk sillte cilësi më të mirë. Kjo zgjati për pesë vite dhe ndër këto tre shoqëri ajo më e rëndësishmja ishte Shoqëria Puna, e cila përballonte 85% të veprimtarive sportive kombëtare dhe vendore dhe ndërkohë përfitonte 90% të buxhetit të sportit të Beratit. Në kampionatin kombëtar të futbollit, Puna ishte emri i ri skuadrës së futbollit të Beratit që vazhdonte historinë e saj mes Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Ndërsa dy shoqëritë e tjera ishin të specifikuara, ku shoqëria Spartaku përbëhej nga futbollistë që ishin punonjës të artizanatit, riparim-shërbimeve etj. Ndërsa në shoqërinë Dinamo përfshiheshin sportistë, të cilët ishin punonjës të degëve të punëve të brendshme dhe të rinjve beratas të shkollave të mesme. Kryesisht aktivitetet e tyre ishin mes shoqërive Spartaku dhe Dinamo në vend po ashtu edhe në aktivitetet vendore. Futbollistët më të mirë të këtyre shoqërive kalonin tek shoqëria Puna. Në këtë periudhë një punë  e mirë po bëhej edhe në ekipin e garnizonit të Berat ku shpesh thirreshin ushtarë nga zona përreth të rinj që luanin mirë futboll për të bërë kalimin e madh te skuadra e Punës. Ndërkohë në vitin 1957 këto shoqëri u shkrinë sërish për të rikthyer edhe një herë një shoqëri të vetme sportive por edhe futbollistike dhe sërish nën emrin Tomori.

Tomori arrin suksesin e parë, finale e Kupës.

Një nga sfidat më interesante të kësaj periudhe ishte ajo e kampionatit të vitit 1960 kur në Durrës përballeshin Teuta dhe Tomori dhe kush humbiste shkonte në Kategorinë e Dytë. Tomori fiton në Durrës por ajo që dallonte në këtë sfidë ishte numri rekord  i tifozerisë beratase që udhëtoj drejt Durrësit, të cilët u kthyen me fitore dhe Tomori qëndronte sërish në elitë. Në këtë periudhë dalluan futbollist si: Polizoi Ikonomi, Sabri Behri apo Stavri Qenro ndërkohë që një brez I ri po lindte në Berat me emra si: Valentin Karaja, Robert Alabaku apo Fatbardh Buzi. Ndërkohë vitet ’70 janë ndër më të artat e Tomorit që arrin edhe kulmin e parë të futbollit beratas. Në sezonin 1963-1964 Tomori shkon deri në finale e Kupës së Shqipërisë përballë një gjigandi të asaj kohe si Partizani. Asnjëherë Tomori nuk kishte shkuar aq lart duke luajtur një finale kupe të humbur me rezultatin 0-3 në Tiranë. Kërkesa e beratasve që takimi final të zhvillohej në fushë asnjëanëse apo me dy takime vajtje-ardhje u hodh poshtë. Por edhe pse humbi finalen e kupës Tomori arriti në të njëjtin vit të fitonte Kupën “Bashkimi” duke mundur në finale Flamurtarin 2-1. Emrat e Buzit, Karajës, Sabri Dylit, Andon Zahos etj., shënuan me shkronja të arta emrin e tyre në historinë e futbollit beratas. Rezultatet pozitive të kësaj skuadre vazhduan deri në sezonin 1967-68 kur kjo skuadër e mbushur me element cilësor mes tyre edhe Bashkim Sulejmani(emrin e të cilit mban sot stadium I qytetit të Kucovës) bie një kategori më poshtë.  Por vetëm një vit më pas dominimi i Kategorisë së Dytë dhe shpallja kampion i kësaj kategorie për herë të tretë tregoj se ajo cfarë ndodhi një sezon më parë ishte vetëm një surprizë.

Brez i artë I futbollit berates me sukseset e reja.

Për herë të katërt titullin kampion të Kategorisë së Dytë Tomori do e fitonte edhe në vitin 1977 kur mundi në finale Besëlidhjen dhe do të niste rruga edhe një tjetër brezi të artë për këtë skuadër. Përfaqësuesi më i rëndësishëm I këtij brezi të ri do të bëhej sulmuesi Përparim Kovaçi, i cili ishte edhe protagonisti i Tomorit në rikthimin e këtij viti në Kategorinë e Parë. Madje për nder të kësaj fitoreje u stampua një kartolinë me momente nga finalja me Besëlidhjen që u shit në një shifër rekord prej 2500 copësh në Berat. Në këtë periudhë futbolli beratas do të jetojë një epokë të artë kur për 9 vite me radhë do të qëndronte jo vetëm në elitë por edhe shpesh  në shkallët e larta të renditjes duke surprizuar të gjithë. Skuadra që në këtë periudhë do të drejtohej nga dyshja Mukli-Xheblati do të nderonte me dinjitet vlerat e futbollit të Beratit. Pjesë e kësaj skuadre do të ishin emra të rëndë të futbollit të këtij qyteti si: Çilingiri, Kokalari, Mile, Karkanjozi, Th.Arbëri, Matrapazi etj. Ky Tomor madje do të arrinte tre herë deri në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë lindi edhe batuta “çdo skuadër që vjen të luaj në Berat futbollistëve të saj fillojnë tu dridhen këmbët sapo kalojnë Urën e Kuçit”(hyrja e Beratit). Në sezonin 1979-1980, Tomori bën surprizën e radhës pasi në radhët e kësaj skuadre luante ylli I futbollit beratas, Përparim Kovaçi që në fundin e këtij sezoni shpallet golshënuesi më I mirë I kampionatit me 18 gola. Për herë të parë Tomori kishte në kryen e klasifikimit të goledorëve një futbollist të vetin. Në këtë periudhë të artë të futbollit të vet Tomori arriti të fitonte edhe kupa që zhvilloheshin në këtë periudhë si: “Tomori”, “Sporti Popullor”, “Bashkimi” dhe “Mësuesi”. Por ajo që do të ndryshonte shumë historinë  e këtij futbolli do të vinte në vitin 1985. Ndikuar nga ecuria e mirë e kësaj skuadre dhe numri I lartë I tifozave që e ndiqnin Tomorin në çdo sfidë do të ndërtohej edhe stadiumi I ri I qytetit,“Stadiumi Tomori”. Ky stadium edhe sot vazhdon të mbetet impianti I dytë më I madh në vend pas atij kombëtar “Qemal Stafa”. Përurimi u bë më 15 maj 1985 në një sfidë miqësore që Tomori e fitoj 3-1 kundra Kombëtares Shqiptare. Ishin Kovaçi, Mile dhe Matrapazi heronjtë e asaj sfidë miqësore. Ndërkohë Tomori thyen rekordin e radhës pasi në stadium në sfidën e përurimit e ndoqën 16500 tifozë. Kjo madje bëri bujë edhe në median e huaj. Kjo pasi një gazetë turke shkruante se kjo është mesatarja më e lartë e tifozëve në stadium kundrejt numrin të banorëve të qytetit që në atë periudhë në Berat ishte 60000 banorë, pra në stadium ishte ¼ e qytetit. Në vitin 1987 Tomori ka sërish golshënuesin më të mirë të kampionatit por këtë herë njeriugol është Arben Arbëri me 14 gola. Por një vit më pas Tomori rrëzohet në Kategorinë e Dytë ku do të qëndronte për vetëm një sezon ndërsa Arbëri është sërish “snajperi” I kampionatit por këtë herë në Kategorinë e Dytë. Përsa i përket eventeve ndërkombëtare në periudhën e pas luftës dhe gjatë regjimit monist për Tomorin ato do të ishin vetëm miqësore si ajo kundra Kombëtares U-21 të Kinës apo kundra skuadrave të futbollit të Kosovës si: Trepca ’89, Liria apo Kristal.

Vitet e para të pas 90’ Tomori arrin të përballojë me sukses problemet e periudhës.

Ndërsa në sezonin 1990-1991 Tomori arrin të renditet për herë të parë kaq lart në klasifikim në vendin e 5 me pikë të barabarta me Tiranën dhe Dinamon. Ndërsa sulmuesi I ri I talentuar Kliton Bozgo me 29 gola shpallet  kryegolshënuesi I kampionatit duke vendosur një nga rekordet e futbollit shqiptar për numrin e golave të shënuar në një sezon. Madje në atë sezon sulmuesi beratas që më pas karrierën do e vazhdonte në Slloveni e Austri ishte një ndër pretendentët për “Këpucën e Artë” të Evropës. Një sezon më pas Tomori siguroj pjesëmarrjen në Kupën Ballkanike. Humbja në gjysëmfinale kundra rumunëve të Otelul Galatit e eleminoj skuadrën e Tomorit nga kompeticioni I pare evropian edhe ishte vetëm rajonal. Pas viteve ’90 futbolli shqiptar dhe ai beratas do të pësonte ndryshime të mëdha në organizim. Për herë të parë tek Tomori shfaqen sponsorët edhe më vonë presidentët e futbollit. Në sezonin 1994-1995 portieri Madrid Muxhaj shpallet portieri më I mirë I kampionatit ndërsa në të njëjtin sezon një nga talentet e shkollës beratase Ilirjan Çaushllari largohet për të vazhduar karrirën e tij në Slloveni dhe Belgjikë. Ndërkohë pas vitit të vështirë ’97 kur ai kampionat dhe ai mëpasshmi u prekën nga dhuna, mashtrimet dhe tolerimet efekte këto që ndihen edhe sot, të cilave as Tomori nuk I shpëtoj. Por ndërkohë në Berat po ndërtohej një skuadër e vërtetë me djem të talentuar beratas si: Muxhaj, Zëre, Aliaj, Lako, Dino, Nushi, Gjata por edhe më të rinjtë K.Arbëri, Fani, Tabaku e Çala, e cila kulmin do e arrinte në sezonin 1999-2000. Në atë sezon presidenti Adrian Çobo do të afronte pranë skuadrës edhe futbollist si: Asllani, Deliu, Hasa, Rustami e Maloku ao edhe kuçovari veteran Gega. Në fund të atij sezoni Tomori do të grumbullonte 52 pikë njësoj me Tiranën duke e mbyllur kampionatit si bashkëkryesuese. Në rregulloren e kampionatit skuadra që kishte grumbulluar më shumë pikë në sfidat direkte do të shpallej edhe kampione. Dukej se Tomori I drejtuar nga dyshja teknike Mile-Arbëri këtë sezon do të shkruante historinë pasi numëronte një fitore dhe një barazim në sfidat direkte ndaj bardhebluve, por nuk ishte e thënë. Pak javë nga fundi I kampionatit FSHF ndryshon rregulloren sipas së cilës nëse skuadrat e përfundonin kampionatin me pikë të barabarta shkonin në një ndeshje shtesë. Tomori dhe Tirana finalen për titull e zhvilluan në Elbasan, sfida përfundon në barazim me nga një gol. Titulli do të vendosej nga penalltitë ku ajo e humbur nga Besnik Hasa për Tomorin bëri që titullin ta fitonte Tirana. Tomori mbeti si nënkampion që vazhdon të mbetet si arritja më e madhe në historinë e futbollit për këtë skuadër. Ndërkohë vetëm një javë më parë presidenti që shkroi historinë e kësaj skuadre do të humbte jetën. Klodian Arbëri shpallet golshënuesi më I mirë I kampionatit dhe pjesë e 11 më të mirë në këtë kampionat.  Në sezonin pasardhës Tomori bën prezantimin e vet në Kupat e Evropës. Përballë janë qipriotët e Apoel Nikozia por Tomori e mbyll me dy humbje dhe eleminim.

Milleniumi i Ri me një Tomor të rrënuar

Pjesa tjetër e historisë së Tomorit është për tu harruar pasi vetëm dy sezone më pas Tomori rikthehet pas 8 sezonesh në Kategorinë e Dytë. Këtu nis një kalvar I gjatë vuajtjesh me një skuadër që sa për lojërat e dobta, mungesës së financave apo edhe futbollistëve cilësorë do të endej në nivelet më të ulta të futbollit shqiptar. Madje shpesh shkak I kësaj do të bëhej edhe ndryshimet e shpeshta në rregullore që bënte FSHF për të ndryshuar strukturën e kampionatit. Madje edhe në sezonin 2005-2006 Tomori pas një faze të parë shumë të mirë dhe kur dukej gati të rikthehej në Kategorinë Superiore(si po quhej në këtë periudhë niveli më I lartë I futbollit shqiptar) tek Tomori ndodh fatkeqësia e radhës. Presidenti Edmond Malollari që kishte investuar duke afruar emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar të kësaj kohe si: Devolli, Osmani, Novi, Sinani, Gjondeda etj., do të humbasë jetën dhe Tomori do të vazhdonte sërish në tunele të errta. Ringritja e Tomorit do të niste në sezonin 2009-2010 falë sponsorizimit të presidentëve Pëllumb Berberi dhe Ali Dyrmishi kjo skuadër do të bëntë “ashensorin” në futbollin shqiptar dhe në tre sezone njëri pas tjetri mbërrijnë pas plot 9 sezonesh sërish në Superligë. Por historia Superiore e Tomorit do të zgjaste vetëm dy sezone. Në këtë periudhë skuadra menaxhohej nga Bashkia Berat ashtu si edhe sot. Në këto dy sezone  me fanellën e Tomorit luajtën disa prej futbollistëve më të mirë të kampionatit si: Llani, Gjyla, Shameti, Çela, Çaushaj, Bakiu, Çarls, Rexha, Elmazi, Roshi etj. Por nuk mungonin edhe elementët vendas si: K.Arbëri, G.Arbëri, Mile, Hysko.  Më pas skuadra kaloj në një tjetër periudhë aspak pozitive kur për herë të dytë zbriti në Kategorinë e Dytë për tu rikthyer nga aty, si kampion. Këtë sezon skuadra është investuar më shumë se sezonet e shkuar me qëllim rikthimin në Kategorinë Superiore por nisur nga sezoni i deritanishëm nuk jep shumë shpresa. Një lajm i mirë për futbollin e këtij qyteti është inkuadrimi në Kombëtare të futbollistit beratas, Myrto Uzuni./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re