Tre punonjës të Policisë Bashkiake të Tiranës janë arrestuar pasditen e së dielës nga oficerët e Seksionit për Hetimin e Korrupsioni.

Ata dyshohet se u kërkonin para tregtarëve ambulantë, kryesisht në zonën e Laprakës, në mënyrë që t’i lejonin të kryenin veprimtarinë e tyre. Operacioni për arrestimin e tre efektivëve të Policisë Bashkiake, i koduar “Ambulanti”, u realizua nga oficerët e Policisë në bashkëpunim me njësinë TaskForcë të Prokurorisë së Tiranës.

Burime nga Policia thanë se të arrestuarit janë efektivët: Eduart D., 39 vjeç, Hekuran Rr., 43 vjeç dhe Nuredin D., 43 vjeç.

Të njëjtat burime thanë se këta efektivë, në raste të veçanta, por edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrit, dyshohet se i kanë lejuar tregtarët ambulantë, në zonën e Laprakës, që të zinin trotuaret për të ushtruar aktivitetin e tyre, duke u marrë nga 500 lekë të rinj çdo ditë.

Të paktën rreth kësaj vlerë llogaritej ryshfeti i përditshëm që ata kërkonin nga shitësit, në mënyrë që të mos ua hiqnin tezgat. Mësohet se hetimet në ngarkim të 3 policëve kanë nisur fill pas kallëzimit të disa prej tregtarëve.

Ndërsa arrestimi i tyre është kryer në zbatim të urdhërarresteve të firmosura nga Prokuroria e Tiranës.

OPERACIONI

Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se në kuadër të operacionit policor të koduar “Ambulanti”, nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë të Prokurorisë u arrestuan në flagrancë shtetasit Eduart D., 39 vjeç, Hekuran Rr., 43 vjeç dhe Nuredin D., 43 vjeç, banues në Tiranë, të tre me detyrë policë bashkiakë në Policinë Bashkiake Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim”.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale ‘Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 259/25 i Kodit Penal”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e kryeqytetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re