DHERMI– Policia e Himarës ka zbardhur identitetin e autorit që qëlloi me armë zjarri në ajër mbrëmë në diskon ‘Havana’ në Dhërmi.

Sipas policisë autori i arrestuar është Emiljano Nina, 23 vjeç, banues në Tiranë. Ai ka qëlluar me armë zjarri 4 në ajër duke terrorizuar të pranishmit në disko.

Sipas policisë, ngjarja ka ardhur pas një konflikti për motive të hershme me një tjetër shtetas. Nga ngjarja sipas policisë nuk ka pasur persona të lënduar.

Njoftimi i policisë: Strukturat Policore të Komisariatit të Policisë Himarë në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e ngjarjes së sotme të ndodhur në Dhërmi, kanë bërë të mundur dokumentimin e saj.

Nga veprimet e para të kryera ka rezultuar se në një lokal shtetasi Emiljano Nina është konfliktuar për motive të dobëta (të hershme) me një tjetër shtetas e për pasojë konflikti ka agravuar më tej, ku shtetasi Emiljano Nina ka shtënë 4 herë me armë zjarri në ajër.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Në përfundim të veprimeve hetimore është kryer arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit Emiljano Nina, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Po në kuadër të veprimeve të kryera është bërë e mundur dhe gjetja e sekuestrimi armës së zjarrit pistoletë me dy fishekë.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, ”Prishja qetësisë publike”, parashikuar nga neni 278 dhe 274 të Kodit Penal.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re