Revista prestigjioze Forbes ka shpallur listën e 100 grave më të fuqishme në botë për vitin 2018, ndërsa krye të listës për disa vite resht është kancelarja gjermane Angela Merkel.

Lista e revistës që jepet për të 15’in vit radhazi, përfshin gratë që konsiderohen si udhëheqësit më me ndikim në të gjithë globin.

Publikimi vë në dukje se ndërsa e ardhmja e Merkel mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh faktin se ajo nuk kandidon për t’u rizgjedhur në vitin 2021, ndikimi që ajo ka pasur si udhëheqëse e Bashkimit Kristian Demokratik që nga viti 2000 dhe si kancelare e Gjermanisë që nga viti 2005 ka qenë i padiskutueshëm.

Në vendin e dytë renditet kryeministrja britanike Theresa May, e cila ka kaluar dy vitet e fundit në krye të qeverisë britanike duke u përpjekur për të shpëtuar negociatat me BE-në në lidhje me Brexit. Pas May vjen Christine Lagarde, drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Lagarde është rritur në listë që nga viti i kaluar, kur ajo u vendos si gruaja e tetë më e fuqishme në botë.

Gjithashtu në listën e 10 grave më të fuqishme përfshihen Melinda Gates, bashkëkryetare e Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, Susan Wojcicki, CEO i YouTube dhe Ginni Rometty, CEO e IBM.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re