Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sqaron për herë të parë arsyet se pse e mori vendimin për rritjen e tarifës me 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

 

Me anë të një letre drejtuar të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, Haradinaj thekson se vendimi i qeverisë, vjen për shkak se Serbia dhe Bosnja Hercegovina kanë shkelur detyrimet e CEFTA-s, kanë ndërhyrë në rendin kushtetues së Republikës së Kosovës, dhe kanë kërcënuar sigurinë e saj.

 

Ramush Haradinaj: “Përderisa Kosova i zbatonte plotësisht obligimet e saj, ajo vazhdimisht përballej dhe raportonte për mos respektimin nga Republika e Serbisë dhe Bosnjës së Hercegovinës të obligimeve që dilnin nga CEFTA dhe ligjet e tjera të zbatueshme ndërkombëtare. Të dy këto shtete kanë bërë veprime të cilat shkelin detyrimet e CEFTA-së, ndërhyjnë në rendin e brendshëm kushtetues, dhe kërcënojnë sovranitetin, sigurinë dhe politikat publike të Kosovës. Në rastin e Republikës së Serbisë, këto veprime janë në kundërshtim edhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

 

Haradinaj shpjegon më tej se Serbia ka shkelur kapitullin e 35 të Bashkimit Europian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve, në të cilin kërkohet angazhimi I vazhdueshëm I Beogradit drejt një përmirësimi të dukshëm në marrëdhëniet me Kosovën.

 

Vendimi për rritjen e takës, përkoi edhe me dështimin me liberalizimin e vizave. Por për këtë, 22 deputetë të Parlamentit Europian, me anë të një letre drejtuar presidentit të këshillit evropian, Donald Tusk dhe presidencës austriake të be-së, kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. Ata theksojnë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, dhe fakti që është i vetmi vend në rajon që nuk është i përfshirë në regjim, mund të krijojë një ndjenjë izolimi që ndikon tek qytetarët.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re