Skuadra e Tomorit militon në Grupin B të Kategorisë së Parë dhe e kanë nisur sezonin me në krye ish-trajnerin Gersi Arbri, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur veshur fanelën e ekipit nga qyteti i Beratit. I papritur ka qenë largimi i tij nga bardheblutë, që ka shkaktuar jo pak reagime në futbollin shqiptar.

Në një intervistë për Newsport.al, Arbri tregon arsyen përse është dorëhequr, duke i hapur rrugën një tjetër trajneri me më shumë përvojë.

Më tej, si një trajner i moshave tashmë, 35 vjeçari tregon se ka patur shumë oferta nga kampionati shqiptar por jo vetëm. Mirëpo kush është skuadra që ish-mesfushori do e pranonte me shumë kënaqësi ta drejtonte në Superligë?

– Gersi, ju në fillim të sezonit jeni dorëhequr nga projekti i juaj me skuadrën e Tomorit. Mund të na thoni diçka më konkrete përsa i përket këtij vendimi?

Personalisht si njeri karakterizohem me ambicie të mëdha dhe në momentin që shikoj se gjërat nuk ecin sipas objektivave të mia dhe abuzohet me besimin tim, atëherë unë preferojë të tërhiqem, duke i lënë mundësi dikujt tjetër me përvojë më të madhe se e imja të vazhdojë atë që u nis. Kjo gjë ndodhi dhe me drejtimin e Tomorit preferova të tërhiqem për të mos zhgënjyer presidentin dhe drejtuesit për besimin që më dhanë gjithashtu dashamirësit e futbollit që kishin të njëjtat pritshmëri me të miat.

– Prej disa muajsh ende nuk jeni i angazhuar me ndonjë skuadër. Keni qendruar me dëshirën tuaj të bëni disa kohë pushim dhe ta vlerësoni me më shumë qetësi situatën, apo si qendron kjo çështje?

Duke qenë që unë jam shumë i lidhur me qytetin tim dhe njëkohesishtë ekipin tim të zemrës Tomorin, preferova që për momentin të mos jem pjesë e asnjë ekipi tjetër, por të vazhdojë të jap kontributin tim në ekipet e moshave, duke parë se ka shumë punë për të berë në vazhdim me elementët e rinj të qytetit tonë, sepse synimi im ka qenë mbështetja e futbollistëve vendas.

– Gjatë kësaj kohe, keni patur oferta nga ndonjë skuadër tjetër në vend, qoftë Superligë, apo edhe nga ekipe të tjera? Nëse po, mund të na thoni diçka konkrete?

Oferta kam patur nga disa ekipe të Kategorisë së Parë dhe te Dytë por dhe ne kampionatin Kosovar. Megjithatë, siç e theksova dhe me lart, preferova që për një periudhë kohe mos të jem pjesë e asnjë ekipi. Dua t’i falenderojë për besimin që kanë tek unë për të drejtuar ekipet e tyre.

– Duke qenë se ju jeni shkëputur nga futbolli i luajtur në një moshë relativisht të re, ndiheni nostalgjik për fushën e blertë, apo tashmë më shumë preferoni të qendroni në rolin e trajnerit?

Pa diskutim që ndihem nostalgjik për kohën si futbollist, sepse përvecse punë, ai ka qenë dhe pasioni im më i madh, por në rolin e trajnerit është diçka krejt ndryshe, sepse ka përgjegjësi akoma më të mëdha dhe mua më pëlqen që të sfidojë veten, duke shpalosur dijet gjithashtu dhe eksperiencen disa vjeçare.

– Sa i lidhur është Gersi me futbollin shqiptar? Arrin t’i shohësh të gjitha ndeshjet, të paktën sa i përket futbollit elitar?

Mundohem të jem i informuar me të gjitha ndeshjet e futbollit shqiptar.

– Në të shkuarën ke veshur fanelën e Luftëtarit. Nëse së shpejti do të vinte ndonjë ofertë nga Gjirokastra, a do e pranojë për ta drejtuar skuadrën?

Është një ambient futbolldashës dhe me shumë kënaqësi do e kisha pritur ofertën e tyre.

– Superligës për momentin i mungon Dinamo, i mungon Vllaznia dhe disa skuadra të tjera, që kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar. Si e komentoni ju këtë pjesë?

Superligës i mungojnë shumë ekipe që kanë bërë histori në futbollin shqiptar, jo vetëm Dinamo dhe Vllaznia, por mund të përmend Tomorin, Apolonin, Elbasanin, Lushnjen, Besën e shumë ekipe të tjera që duhet të militonin me patjeter në Superligë.

– Futbolli bëhet më i bukur kur shkallët e stadiumit janë të mbushura me tifozë, mirëpo në vitet e fundit diçka e tillë nuk po përsëritet. Ku mendoni se qendron problemi?

Rendimenti i ulët i futbollit tonë këto vitet e fundit, gjithashtu dhe keqmenaxhimi i shumë klubeve ka bërë që dashamirësit e futbollit të jenë të pakënaqur dhe të largohen shkallët e stadiumeve.

/Nazif ZYLALI/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re