Në prag të festës së Pavarësisë, presidenti Meta ka udhëtuar drejt një prej qyteteve më pak shqiptare sot, por që ka rol qëndror në historinë e Shqipërisë, Manastir.

Sipas njoftimit të Presidencës, i pritur nga dhjetëra shqiptarë nga Maqedonia dhe ministri i Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, Meta vizitoi shtëpinë muze ku u mblodh Kongresi i Manastirit dhe shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë të Manastirit.

“I uroj mbarë kombit shqiptar gëzuar 110-vjetorin e Alfabetit të gjuhës shqipe. Me shumë emocion rikthehem në Manastir. Të bëjmë gjithçka që kjo ndërtesë historike për shqiptarët të pasqyrojë më së miri kontributin e patriotëve shqiptarë. Pa Kongresin e Manastirit do të kishte qenë e vështirë edhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, tha Meta në fjalën e tij.

“Mirënjohje të përjetshme patriotëve, veprimtarëve dhe përfaqësuesve më të spikatur të Rilindjes sonë Kombëtare, Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Sotir Peci, Taqi Buda, Nyzhet bej Vrioni dhe Parashqevi Qiriazi, të cilët i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, Alfabetit të gjuhës shqipe. Lavdi të përjetshme Kongresit të Manastirit që i dha jetë Alfabetit tonë dhe përjetësoi gjuhën shqipe”, uroi më tej me fjalë të zgjedhura.

Kongresi i Manistirit përcaktoi alfabetin e ri shqip, duke kaluar nga alfabeti osman në atë latin. Kjo u përcaktua nga elita e kombit, e përbërë nga figura politike, fetare e kulturore, dimensione që shkriheshin në një te ndoca prej delegatëve. Katër vite më vonë do të vinte shpallja e Pavarësisë.

Për paradoks, godina e Kongresit të Manastirit, dikur qytet me theks entik shqiptar, sot menaxhohet nga maqedonasit.  

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re