Fluturakja e NASA-s, e quajtur “Parker”, ka dërguar fotografi mahnitëse, të cilat janë bërë nga një largësi më e vogël nga Dielli se kurrë më parë. Ajo sapo ka arritur në zonën më të afërt me Diellin dhe prej saj po pranohen fotografi të jashtëzakonshme që nuk janë bërë asnjëherë në të kaluarën.

Shkencëtarët thonë se kjo pajisje do të afrohet edhe më tepër pranë Diellit. Fotografitë u bënë nga sistemi WISPR i fluturakes. Në këto fotografi shihet një rrjedhë e koronës duke lëvizur në krahun lindor të Diellit. Rrjedhat koronale janë struktura të materialit që ndodhet brenda atmosferës së Diellit. Ato ngrihen nga sipërfaqet ku ka aktivitet të lartë diellor.

Në fotografi shihen hollësi të qarta të këtyre rrjedhave, të cilat pritet të jenë ndihmë për shkecëtarët për ta zbuluar se si formohen ato.

Në javët e fundit, fluturakja arriti të futet në shtresën e jashtme të atmosferës së Diellit dhe u vendos në largësinë më të vogël që është arritur ndonjëherë nga misionet hapësinore të njerëzimit. Rrjedhimisht, ajo arriti të merrte shumë të dhëna për sipërfaqen e Diellit, përmes katër palë instrumenteve që janë të vendosura në trupin e saj të fortë. Këto të dhëna pritet të sjellin zbulime të reja për materialin, veprimin dhe dukuritë tjera që zhvillohen në yllin tonë, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re