Nga Ajet NALLBANI

Qysh në kohët më të lashta sigurimi i ujit të pijshëm ishte problemi kryesor në zhvillimin e qyteteve dhe në sigurimin e jetës së garnizoneve në kushte rrethimi.
Gjurmët tregojnë disa mënyra ndërtimi për sigurimin e ujit: sterat, çezmat, puset si dhe burimet natyrore: lumenjtë, përrenjtë etj.

Sterat
Sterat i gjejmë me përmasa të ndryshme sipas karakterit të përdorimit: të përdorimit vetjak që shërbenin brenda familjes ose të përdorimit kolektiv që janë përdorur nga lagjet ose nga garnizonet e vendosura pranë tyre.
Sterat janë të ndërtuara me mure të trasha të suvatuara me llaç horasan, element mjaft i mirë për izolimin e tyre, i cili përgatitej nga tulla e shtypur përzier me gëlqere të stazhionuar. Këto furnizohen nga strehët e çative nëpërmjet ullukëve. Një tub i vendosur në nivelin maksimal të steres bënte vetëshkarkimin e ujit të tepërt duke e nxjerrë atë jashtë banesës.
Marrja e ujit bëhej nëpërmjet një gypi të lënë në fundin e steres ose nga gryka e pusit me anën e kovave. Shumë herë puse të tilla i hasim në interierin e banesës.
Sterat me karakter vetjak kanë përmasa të atilla që përballojnë nevojat familjare. Këto shkojnë rreth 5-6 metër kub, po nuk përjashtohen edhe me përmasa më të mëdha. Sterat kolektive kanë madhësi që shkojnë nga 50-60 metër kub deri 1000-1500 metër kub.

Shkallarja e kalasë
Një objekt tjetër që ka shërbyer për sigurimin me ujë të kalasë së Beratit është dhe rruga që e lidh kështjellën me lumin Osum. Kjo është ndërtuar në shpatin jugor të saj në një terren mjaft të thyer. Pozicioni i vendosjes së kullave ndihmon për vrojtim nga të gjitha anët. Ndërtimi është bërë i gjithë me gurë, kështu mund të punoje pa rrezikun e jashtëm. Gjatë mureve të trasha janë lënë kamare të vogla të cilat kanë shërbyer si frëngji për t’u mbrojtur nga kërcënimet e papritura si dhe për të lehtësuar komunikimin duke krijuar një ndriçim minimal në rrugën e errët. Mbulimi i saj është bërë me qemere guri të punuar mirë dhe që vijnë në formë të shkallëzuar në drejtim të pjerrësisë së vendit. Kalimi bëhet në shkallë guri me një gjerësi të atillë që kalojnë lirisht dy vetë dhe lartësinë sa një bojë njeriu.
Po të shëtisësh rrugëkalimin, te kulla e parafundit duhet të ndalosh. Ky fund të jep të kuptosh se shkallët këtu përfundojnë dhe fillojnë poshtë saj për t’u bashkuar me kullën tjetër. Ky disnivel krijon vështirësi për t’u ngjitur dhe për të zbritur pa ndihmën e një shkalle portative. Kjo duket se ka qenë dhe zgjidhja e mëparshme. Me heqjen e shkallës portative pengohej kalimi nga poshtë lart për çdo eventualitet.

Puset
Për sigurimin e ujit ka shërbyer dhe ndërtimi i puseve, të cilët gjënden kryesisht në vënde me lagështi dhe sidomos ato fushore, ku uji del në formë burimi.
Teknika e ndërtimit të puseve vjen deri në në ditët tona si një trashëgimi e lënë brez pas brezi.
Për ndërtimin e puseve mjeshtri duhej të njihte mirë strukturat e tokave që mbajnë ujë. Toka ku do të ndërtohej pusi duhej të kishte lagështi në sipërfaqe ose lagështi të mjaftueshme që në shtresat e para pas gërmimit. Këto ishin vendet e veshura me bimësi, sidomos me vidha dhe kulmak .
Për hapjen e një pusi punonin dy ose më shumë vetë, të cilët i kryenin punimet në një kohë sa më të shkurtër, për të mënjanuar mbushjet e vazhdueshme nga ujërat që burojnë ose nga rreshjet. Si kohë pune zgjidhej kryesisht vera. Puna vazhdonte ditë dhe natë deri sa të arrihej thellësia e kërkuar.

Çasti i shfaqjes së ujit ishte kurorëzimi i mundit të specialistëve, të cilët e ruanin këtë rast , se sipas traditës së tyre, nëse do të vërehej së pari nga një tjetër dhe jo nga hapësiai, uji “do të largohej”. Kjo mendësi rëndonte ndërtuesit e pusit, të cilët duhej të punonin me ngut derisa të shfaqej uji, që mundimi të mos u shkonte kot. Por, nga përvoja, ata e njihnin mirë tokën që mbante ujë dhe dinin ta kthenin në gëzim përfundimin e punës.
Gërmimi fillonte në një diametër 10 pëllëmbë (2-2,5 m) dhe thellësia shkonte 1-2 m më poshtë nivelit të shfaqjes së ujit. Kur toka ku gërmohej dilte e paqëndrueshme, ajo përforcohej me dërrasa, në mënyrë të tillë që mund të punohej lirisht. Nxjerrja e materialit bëhej me kova dhe çikrik. Njëri rrinte poshtë dhe mbushte kovën dhe tjetri e ngrinte dhe e shkarkonte. Puna vazhdonte duke nxjerrë një herë ujë dhe një herë dhera. Uji derdhej larg gropës që të mos rikthehej në gropë si dhe për të mënjanuar rrezikun e shëmbjes.
Për të patur një rendiment të madh pune, kova bëhej e madhe dhe punëtori që e ngrinte vihej në pozicion të tillë që e punonte çikrikun me këmbë dhe me dorë. Kur bindej se pusi kishte vajtur në thellësinë e mjaftueshme, atëherë fillonte puna për ndërtimin e murit të pusit.
Pusi vishej me gurë të thatë, faqja më e madhe e të cilit vendosej nga ana e dheut duke formuar formën rrethore simbas punimit që i është bërë gurit. Gjatë ndërtimit të murit liheshin këmbëza për t’u ngjitur dhe zbritur kur bëhej pastrimi i pusit. Muri ngrihej 80-100 cm nga toka për të mënjanuar rreziqet dhe gryka mbulohej me kapak druri. Në fund të pusit hidhej një pëllëmbë çakëll që shërbente si filtrues.
Puset kolektive mbuloheshin shpesh me çati për të mënjanuar ndotjen nga pluhuri, ndërsa puset vetjake, mbuloheshin me kapak druri ose ndërtoheshin në brendësinë e shtëpisë dhe nën qemerin e kamerisë. Kundër ndotjes merreshin edhe masa për t’u mbajtur pastër vendi duke e lyer rreth e qark me gëlqere dhe duke e shtruar me pllaka guri për largimin e ujërave sipërfaqësore.

Këto masat nuk mjaftonin kur pusi vihej në shfrytëzim. Për këtë qëllim herë pas here, zakonisht një herë në vit ose në dy vjet, pusit i bëhej një pastrim, zakonisht në verë, mbasi në këtë stinë ata kanë më pak ujë. Pastrimi bëhej duke e nxjerrë ujin me kova në mënyrë të vazhdueshme për të mënjanuar rimbushjen. Llumi që gjendet në fundin e pusit pastrohet dhe mureve të pusit i bëhej një larje me ujë të pastër.
Puset e ndërtuar në terren të pjerrët shkonin më thellë dhe kishin ujë më të lehtë dhe të ftohtë, sidomos kur uji kalonte nëpër shtresa guri.
Nga puset kolektive përmendim: Pusi i Kozares te Hani i Kozares në lagjen Mangalem. Ishte i thellë 18 pash dhe përmendej për ujin e ftohtë e të lehtë. Pusi i Pazarit të Misrit, Pusi i Kasaphanës, Pusi i Xhamisë Mbret që përdorej për nevojat e xhamisë dhe të banorëve të lagjes së Sherit. Pusi i Xhamisë së Beqarëve, ishte me çikrik, përdorej për nevojat e xhamisë, të banorëve dhe të dyqanxhinjve. Ky pus kishte ujë të ëmbël, i parapëlqyer për shuarjen e bullutës në masën një me tre, ( pije e nxjerr nga alkooli i misrit ).
Nga puset e përdorimit vetjak përmendim: Pusi i Bizbiqit, 18 pashë i thellë; Pusi i Shëndëlliut, i ndërtuar në oborrin e kishës, i mbyllur në një godinë të vogël dhe që shërbente vetëm për kishën.
Vendi më i pasur në burime është zona e Biftës, e cila është mjaft e gjelbëruar. Këtu janë ndërtuar një numër i madh çezmash, një pjesë e të cilave ruhen edhe sot. Këto ndërtoheshin nga individë ose grupe të bashkuar, të cilëve u shërbenin. Këto çezma mbanin emrin e ndërtuesit ose të pronarit të truallit. Të tilla janë: Çezma e Millonait, që gjendet nga ana perëndimore, e rikonstruktuar në vitin 1925, sot gjenden vetëm gjurmët. Çezma e Shëndëlliut në afrërsi të kishës, e rikonstruktuar po në vitin 1925. Në afërsi të saj gjendet një çezmë tjetër që mban të njëjtin emër. Të dyja plotësonin nevojat e lagjes Breg. Çezma e Petrakut që gjendet në faqen veriperëndimore, në rrugën që zbret për në Burdullias. Çezma e Muzhakës ose siç quhet ndryshe dhe e Lenës ose e Veveçkës, sipas emrave të pronarëve të mëparshëm.

Çezma të tjera janë: Çezma e Parangoit, Çezma në Qafën e Tufave në Gëricë, Çezma e Qypit (me emrin e familjes), Çezma e Shën Kollit në Gëricë, Çezma e Lajthisë, Çezma e Kroit, Çezma e Kapedanit, Çezma e Stosqindit (emër vendi midis Gëricës dhe Virjonit), Çezma e Kondasit.
Lagjja Kala, që problem kryesor kishte ujin, i shfrytëzonte dhe i mirëmbante këto çezma. Për këtë qëllim në lagje ishte krijuar Shoqëria Mirëbërëse, e cila kishte për qëllim ndërtimin dhe mirëmbajtjen e çezmave të karakterit kolektiv. Kjo shoqëri mirëmbante edhe rrugët e kalimit që të çonin në këto burime ujore. Ajo zgjidhej nga banorët e lagjes. Të ardhurat i siguronte nga kontributi i të gjithëve në periudhën e ullirit dhe të vajit sipas një kuote të caktuar.

Ujarët
Furnizimi me ujë i lagjes Kala dhe i lagjeve bëhej me ujarë. Kështu quheshin ata që transportonin ujë me kafshë të ngarkuara me bucela druri. Çdo shtëpi kishte bucelat e veta dhe pajtonin ujarë të përhershëm.
Lagjja Mangalem furnizohej me ujë nga puset që gjendeshin në qendër të qytetit, nga Pusi i Kozares si dhe nga sterat që gjendeshin në brendi të shtëpive. Kjo lagje shfrytëzonte dhe burimin te Lundra (vendi ku kalonte lundra që lidhte të dy lagjet). Ky burim ka të njëjtin ujë me pusin e Kozares dhe siç thotë populli, vjen nga i njëjti damar. Nga burimi i Lundrës dhe i Shën Mërisë uji merrej me gjyma duke i mbushur me enë të vogla. Të dyja këto burime sot janë mbuluar nga mbushjet që ka krijuar lumi rreth 2 m.
Lagjja Goricë furnizohej nga burimi tek Ura e Goricës, ku mbushnin ujë dhe ujarët, si dhe nga puset vetjake që gjendeshin kryesisht në rreshtin e parë të banesave, aty ku terreni rrafshohet.

Qendra e qytetit, përveç vendeve të lartpërmendura, furnizohej me ujë dhe nga çezma që populli e ka quajtur Çurku. Kjo kishte ujë të bollshëm dhe të mirë.
Lagjja Murat Çelepi është furnizuar me ujë nga puset vetjake që pothuaj gjendeshin në çdo shtëpi, dhe nga çezma e Sahatit, ujët e së cilës vinte nga burimet e Biftës. Gjurmët e kësaj çezme janë edhe sot në gjendje të rënuar.
Një ujësjellës u ndërtua nga Kurt Pasha, i cili kishte si qëllim të çonte ujin e burimeve të Mbreshtanit në Kala. Këto punime i morën përsipër disa mjeshtër, të cilët e ndërtuan ujësjellësin me qyngje deri në afërsi të qytetit. Sipas të dhënave gojore, nuk e përmbushën dot detyrën e marrë nga pashai. Ata sajuan një rrëshqitje masive me zhiva. Nga gjendja e rëndë e terrenit, që nuk ishte parashikuar, gjetën pretekstin e pezullimit. Gjurmët e këtij ujësjellësi vijnë deri te vendi i quajtur Sqollë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re