Fundi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” gumëzhin. Nuk janë njerëz që dalin nga një qendër e re tregtare, siç ndodh periodikisht…

Prej njëzet e kusur vitesh është e njëjta pamje për pak ditë në mesin e nëntorit. Një librari gjigande me çmime të ulura i thërret njerëzit të blejnë. Ngjashëm me një pazar tradicional…

Blejnë libra për gjithfarë arsyesh. Dikush se i duhen tituj jo lehtësisht të gjendshëm, dikush se kërkon vërtet të lexojë, një tjetër kërkon t’ia shtojë librat luksit të shtëpisë ku kujton se jeton…

Panairi u shërben të gjithëve. Librashitësve, vërtet të angazhuarve për librin, të pasionuarve pas dijes, atyre që duan të bëjnë para, blerësve të famës, analfabetëve funksionalë që ia kanë dalë të shkruajnë, të botojnë diçka, e që në paturpësinë e tyre kritikojnë hijerëndë pikërisht analfabetizmin funksional…

Panoramës jashtë ndërtesës së panarit i japin larmi ca tifozë skocezë me veshjen e tyre karakteristike. Të çuditur me gjallërinë e tejskajshme, janë po kaq të befasuar nga dëshira e vendasve për të bërë një fotografi me ta. Vajza e djem shkollash, fëmijë…

Në një sallë më vete, të rrumbullakët, prej nga mendja të shkon te ajo e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, promovohet një botim i veçantë, vepra e plotë e shkrimtarit dhe publicistit Kim Mehmeti. “Anëtarët e përhershëm” as votojnë, as abstenojnë; thjesht vënë në pah meritën në të shkruar të të vënit në qendër të vëmendjes. Çka u tha merr një miratim orë më tutje, me një çmim të madh karriere të dhënë në panair për Kim Mehmetin.

Vetë personazhi kryesor përkundet në ndenjësen e tij. Dëgjon, hedh vështrimin përreth, mendon… Herë-herë vë buzën në gaz… Është krejt i vetëdijshëm për peshën e vet…

Kur ai e merr fjalën, kuptohet lehtë pse e meriton të tërë këtë, botimin e veprës së plotë, çmimin më pas… Brilant në ligjërim, në rrëfim! I rrjedhshëm! Me një tingëllim të veçantë të gjuhës!

Me fjalë përkëdhel veten, të tjerët, vetëthumbohet dhe thumbon… Merr duartrokitje të vërteta, edhe lavdërime të çastit nga pjesa përballë e sallës. Ka një natyrshmëri që fare rrallë e has… Është vetvetja, nuk ka nevojë të jetë ndryshe.

E ka patur bindjen se do ia botojnë një ditë veprën e plotë, por të sjellur kësisoj, veshur në lëkurë, nuk e ka menduar. Dhe kështu merr shkas që një pjesë të madhe të fjalëve të mira t‘ia kushtojë shtëpisë botuese, “Logos-A”, drejtuesit të saj. Nuk është refren nga zënia ngushtë; pikaset një ndjesi e brendshme për të falënderuar vërtet.

E falënderon “Logos-A”-në jo veç për vete, e himnizon… Me të drejtë! Shumë do ta kishin patur të vështirë pa të…

Sigurisht, të mbledhurit në sallë ishin për Kim Mehmetin dhe për “Logos-A”-në. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re