U bënë më shumë se tre muaj nga dita kur ICTSlab hapi dyert për fëmijët e parë që do ti bashkoheshin planprogramit të edukimit STEM, të cilëve ju bashkuan në vazhdim edhe dhjetëra miq të rinj të teknologjisë.

Ditën e djeshme, këta fëmijë mbyllën me sukses hapin e parë të këtij rrugëtimi të gjatë teknologjik që ICTSlab ka sjell për ta: bazat e programimit Scratch. Me sytë që shkëlqenin nga entuziazmi, vetëbesimi dhe krenaria për ato që kishin arritur, fëmijët dolën për të prezantuar projektet finale para audiencës së tyre më të dashur: Prindërit.

Rrugëtimi për të arritur deri në ditën e djeshme nuk ishte i thjeshtë, por pa dyshim ishte i mrekullueshëm. Fëmijët e ICTSlab, të gjithë me personalitete, pasione dhe dëshira unike, u përballën në këto tre muaj me projekte që sfidonin tek ta kreativitetin, të menduarin kritik, aftësitë komunikuese, bashkëpunuese dhe jo vetëm.

Ata kishin në dispozicion teknologjitë më inovative, nëpërmjet të cilave u familjarizuan me shkencat kompjuterike, duke marrë baza të sigurta që padyshim do të jenë vlerë e shtuar për ta në të ardhmen.

Në projektin final, fëmijët u bashkuan në grupe të vogla ku të gjithë së bashku duhet të planifikonin, të zhvillonin dhe në fund të prezantonin punën e arritur në grup.

Me natyrën e tyre të çiltër, ata jo vetëm ja dolën të bashkëpunonin me sukses me njëri-tjetrin, por gjithashtu të pranonin me pozitivitet dallimet mes tyre e në fund të bëheshin edhe miq të mirë.

Dje fëmijët na treguan edhe njëherë se e ardhmja është dixhitale, sepse e ardhmja janë ata, të cilët duket se kanë pasionin, energjinë dhe aftësitë jo vetëm për ta përdorur por edhe shfrytëzuar teknologjinë. Tashmë, ata nuk mendojnë më se si të shkarkojnë një lojë të re, por si të krijojnë një lojë që do ta shkarkonin të tjerët.

Nuk mendojnë më sesi të shmangin problemet, por si të përdorin kodimin për të gjetur zgjidhje. Ata kanë zgjedhur të mos jenë më në rolin e përdoruesit të teknologjisë, por të zhvilluesit të saj.

Prandaj janë të gatshëm të vazhdojnë rrugëtimin e STEM me modulet pasardhëse, si dhe ICTSlab është e gatshme të kontribuoj gjithmonë dhe më shumë për t’ju sjell më të mirën këtyre fëmijëve, të cilët dje na bënë të gjithëve krenarë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re