Nga Av. Arnold Neziri

Konflikti tek “Unaza e Re”, nuk duhet parë thjesht si një konflikt politik midis të majtës dhe të djathtës dhe midis qeverisë dhe opozitës, por edhe si një çështje e të drejtave të njeriut, të drejtës së pronësise përkundrejt shpronësimit të pasurive të paluajtshme në përmbushje të interesit publik.

Por çfarë e shndërron “Unazën e Re” në një precedent dhe përse vlen të ndalemi?

Padyshim që gjithkush prej nesh e ka të qartë tablonë e përgjithshme të kësaj “katrahure” ndërtimore, ku ndërtimet pa kriter të ndikuara nga lëvizjet e brendshme në Shqipëri dhe kryesisht në Tiranë, imponuan qeverinë e kohës të fillonte procesin e “legalizimit” të këtyre ndërtesave, nëpërmjet një rregullimi ligjor në vitin 2006, ligjit “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa leje”. Pa hyrë në përmbajtjen e këtij ligji, dhe kushtetueshmërinë e tij, natyrshëm lind pyetja nëse i frenoi ky ligj ndërtimet pa leje apo jo? Sigurisht që jo, pasi shteti në atë kohë ishte i pafuqishëm të ndalonte këtë “frymë antiligjore” të ndërtimit të banesave apo objekteve, dhe nga viti 2006 deri në vitin 2014 parlamenti ka shtyrë disa herë afatin e zbatimit të këtij ligji.

Në  rastin “Unaza e Re”, konstatohet se banorët dhe familjet që kanë ndërtuar banesat e tyre pranë kësaj zone sot janë përpara presionit të shtetit për t’u larguar nga shtëpitë e tyre dhe nuk u janë dhënë shumë mundësi zgjedhjeje, por nuk mund të themi që janë krejt të zhveshur nga e drejta.

Nëse analizojmë problemin nga pikëpamja ligjore, konstatojmë se qeveria sot mbrohet përpara banorëve dhe opinionit politik dhe publik pikërisht me dispozitat që parashikojnë përjashtimin nga legalizimi të ndërtimeve pa leje që cënojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore etj…, të cilat përbëjnë interes publik. Sigurisht që kjo mbrojtje ligjore që i jep neni 39 i ligjit “Për Legalizimet…”, mund të justifikojë nga njëra anë qeverinë të jetë e palëkundur në qëndrimin e saj për prishjen e këtyre ndërtimeve dhe vazhdimin e veprës publike, por nga ana tjetër e detyron qeverinë dhe institucionet e saja që të sqarojnë qytetarët e prekur dhe publikun se dëmi që i shkaktohet atyre nga prishja është pa fajin e saj.Faji, si institut i së drejtës, dhe përcaktimi i tij nuk duhet parë vetëm për konsum politik dhe mediatik por edhe për të përcaktuar përgjegjësinë juridiko-civile për dëshpërblimin e prishjes së atyre ndërtimeve të legalizuara apo të palegalizuara.

Banorët dhe familjarët që preken nga projekti i “Unazës së Re” por edhe publiku i gjerë, duhet të marrin përgjigje nga institucionet të cilët sot kanë detyrimin të kryejnë një proces të rregullt dhe transparent me qytetarët e saj, duke krijuar bindjen (jo vetëm formale) ligjore se procedurat e ndjekura prej tyre ne këtë proces janë konform ligjit.

Gjithashtu nuk mund të mjaftohen me parullën “e përjashtimit nga legalizimi”, por duhet të ndalen tek të gjitha problematikat ligjore që ngre fenomeni i “Unazës së Re”.

Së pari- Ekzekutivi duhet të provojë që aty ka pasur një plan Urbanistik, Rregullues, të Qytetit të Tiranës të miratuar ligjërisht, në mënyrë të tillë që të provojë se është në kushtet e përjashtimit nga legalizimi.

Institucionet publike qendrore dhe vendore kanë deklaruar se ndërtimi i Unazës së Re (pjesa nga pallati me shigjeta tek Sheshi “Shqiponja”), bie fiks mbi gjurmën e vijës së verdhë të vitit 1989, përcaktuar  nga VKM nr. 45, dt.7.2.1990 “Per miratimin e Planit Rregullues të Qytetit të Tiranë”. Por a ka dhe a ka pasur fuqi juridike VKM-ja e mësipërme?

Institucione të ndryshme, kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me zbatimin e VKM-së së mësipërme dhe fuqinë e saj juridike. Duhet të dimë që në këtë sipërfaqe toke në të dy anët e rrugës por kryesisht në zonën ku është pjesa më e madhe e ndërtesave objekt konflikti herë është konsideruar si “tokë bujqësore” dhe për rrjedhojë sipërfaqe të caktuara të saj janë ndarë me ligjin nr. 7501, “Për tokën bujqësore”, nga Komisionet e Ndarjes së Tokës së ish- Ndërmarrjeve Bujqësore dhe herë është konsideruar si tokë “truall brenda vijës së verdhë të qytetit të Tiranës”, dhe për rrjedhojë është ndarë nga ish Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pranë Bashkisë Tiranë. Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm përvec dyzimit institucional, është që VKM-ja ka probleme të tjera të karakterit formal dhe procedural që kanë si pasojë paefektshmërinë e tij. Nga informacione të mbledhura në kohë nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Qarkut, Arkivi Qëndror Teknik, Bashkia e Tiranës rezulton se VKM nr. 45, datë 07.02.1990, nuk është botuar në fletoren zyrtare dhe është pa firmë dhe pa vulë, elementë që ngrejnë pikëpytje të forta mbi fuqinë e këtij akti nënligjor.

Së dyti– Gjithashtu ekzekutivi duhet të sqarojë nëse ka ndonjë plan tjetër rregullues të miratuar në këtë zonë? A është zbatuar ky plan nga institucionet dhe a është bërë i njohur për banorët e përfshirë në konflikt?

Në përgjigje të kësaj pyetje, nga Bashkia Tiranë, ka vetëm një qëndrim se në vitin 2007 ka një plan rregullues që bie fiks mbi planin rregullues të vitit 1990. Por për këtë duhet një sqarim i hollësishëm ligjor nga ana e Bashkisë që ky plan urbanistik sjell pasoja juridike për ta dhe nëse ka efekt prapaveprues ose jo, pra nëse do t’i shtrijë efektet e veta përpara miratimit dhe publikimit, duke marrë në konsideratë parimet e shtetit të së drejtës, parimin e sigurisë juridike, dhe frymën e ligjit “Për legalizimin …”

Së treti- A janë identifikuar ndërtimet e banorëve të “Unazës së Re”, si objekte “të përjashtuara nga legalizimi”, për shkak të përjashtimit që dikton neni 39 i ligjit, në përputhje me procedurat e parashikuara nga VKM nr. 437/2006?

Kjo pyetje bëhet për shkak se në përputhje me procedurat ligjore që dikton VKM 280/2015 për ndërtimet që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit 9482/2006 konstatohet mospërfshirja në procesin e legalizimit me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, duke argumentuar edhe shkakun ligjor. Në cështjen në fjalë kjo procedurë po ndodh sot (referuar deklaratës zyrtare të kreut të ALUIZNIT se vendimet e konstatimit të mospërfshirjes në procesin e legalizimit janë duke u përgatitur).

Nuk ka dyshim që ky konflikt ka hijet e veta kur shikon dhe kupton (nga provat dhe deklaratat e deritanishme) që brenda kësaj zone disa ndërtesa janë legalizuar dhe disa jo, pra disa bien brenda planit rregullues disa jo, megjithëse janë ngjitur njëra-tjetrës. Posacërisht, ky fakt na çon në përfundimin se në rastin në fjalë parimi i “barazisë përpara ligjit” nuk gjen zbatim dhe se procesi i legalizimit për këtë zonë është i kompromentuar, jotransparent dhe selektiv.

Mbi këto premisa banorëve dhe familjarëve që kanë ndërtuar pa leje banesat e tyre pranë kësaj zone u lind e drejta që t’i drejtohen gjykatës me padi për të kundërshtuar “vendimet e konstatimit të mospërfshirjes në procesin e legalizimit”, dhe nëse gjykata do t’i vlerësonte si të drejta pretendimet e tyre, duke marrë në konsideratë mungesën e një plani urbanistik të miratuar dhe prapaveprueshmërinë ose jo të të një akti nënligjor, këta banorë dhe familjarë do të kishin një status tjetër, atë të pronarit të ligjshëm të cilët meritojnë një shpronësim të drejtë të pasurive të tyre.

Me sy të lirë dhe pa u thelluar, kushdo do t’i quante uzurpatorë këta individë, por kjo nuk mjafton për t’i dhënë përgjigje problemit në fjalë. Këta banorë, këtë status dhe cilësim e pranojnë por kjo nuk përbën si justifikim për të mohuar të drejtën e tyre për një shpronësim të drejtë, për zbatimin e parimit të ligjshmërise, të barazisë përpara ligjit dhe të drejtës dhe lirisë së pronës, sepse askush nuk mund të pretendojë që të vendoset drejtësi me padrejtësi.  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re