Punimet për projektin e Unazës së Madhe kanë vijuar me intensitet. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkisë së Tiranës po punon për prishjen e ndërtimeve pa leje që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, në segmentin nga mbikalimi te Pallati me Shigjeta deri te Dogana.
 
Deri më tani janë hequr nga ana e bashkisë të gjitha pemët e mbjella anës rrugës, të cilat do të mbillen tek bregu i lumit si dhe janë hequr të gjitha shtyllat e ndiçimit.
 
Ndërkohë, përmes një postimi në twitter, kryebashkiaku Erion Veliaj ka falenderuar të gjithë ata banorëve të zonës së “Astirit” që preken nga projekti i zhvillimit të “Unazës së Madhe” dhe që iu përgjigjën thirrjes së tij për të bashkëpunuar.
 
Veliaj thekson se kur të shkruhet historia e Tiranës, askush nuk do kujtojë penguesit e vandalët, por do të kujtojë të gjithë ata njerëz të mirë që çuan qytetin përpara e i hapën rrugë zhvillimit.
 
“Kur të shkruhet historia e Tiranës, askush nuk do kujtojë penguesit e vandalët, historia s’ka 1 rresht për këta tipa! Ama do kujtojë ata njerëz të mirë që çuan qytetin përpara e i hapën rrugë zhvillimit. Mirënjohje gjithë familjeve që çdo ditë e më shumë po lejojnë Unazën e Re”
 
Familjet që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe dhe që nuk disponojnë asnjë letër, po zhvendosen në banesa sociale ku mund të banojnë në to pa afat. Ndërsa për të gjitha familjet e tjera që parapëlqejnë një zgjidhje tjetër, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion edhe bonusin e qirasë për 3 vite.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re