I njohur më së shumti nga publiku i gjerë si Shefedini te “Përballimi”, apo Aleks Xinxa te “Vendimi”, aktori i Teatrit të Korçës Koço Qendro mund të vendos një rekord jo vetëm për aktrimin shqiptar. Ai pritet të ngjitet në skenë në moshën 92-vjeçare.

Siç informohet nga një shkrim në Shqiptarja.com të gazetares Dhurata Hamzai, aktori i njohur korçar do të luajë sërish në rolin më të famshëm të tij në karrierë – Harpagonin e Molierit në pjesën e famshme “Kopraci”. Kjo, në datat 1 dhe 2 nëntor, në teatrin “Andon Zako Çajupi”.

Me këtë rol, pasi komedia e njohur u vu në skenë nga Teatri i Korçës në mesin e viteve ’80, Koço Qendro ka korrur suksesin më të madh duke dhënë 350 shfaqje, në Korçë e qytete të tjerë të Shqipërisë. Aktorë të tjerë që janë ngjitur në skenë në moshë të thyer janë Kadri Rroshi e Sulejman Pitarka, por mes të shtatëdhjetave e tetëdhjetave. Ndërsa Koço Qendro kapërcen dhe të nëntëdhjetat, me një rol të cilin e ka luajtur më shumë se 30 vite më parë.

Një tjetër rekord moshe në këtë aspekt mban i ndjeri Albert Verria, i cili rolin e Sulos te “Kapedani”, atë të një plaku gërrnjar që nuk duronte gratë në pozita drejtuese, e ka luajtur duke qenë te të tridhjetat.                

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re