Vrasja 63-vjeçarit shqiptar në Korfuz të Greqisë, Petrit Zifle, nga Berati, i njohur në fshatin ku banonte me emrin, Petro, ka ngjallur mjaft zemërim dhe debat në shtetin fqinj. Fillimisht policia dhe shumë prej mediave e hodhën poshtë motivin racist të këtij krimi të rëndë, të kryer nga një anëtar i ‘Agimit të Artë’.

Por konfirmohet se autori i vrasjes është një 44 vjeçar nacionalist ekstremist, i cili pasi është arrestuar nga forcat e policisë ka pranuar në rrëfimin e tij krimin e kryer.
Mediat vendase sot kanë raportuar, edhe detaje të reja nga ky krim i kryer me gjakftohtësi. Mësohet se gjithçka ka nisur pas një sherri në një lokal në fshat. Zifle dhe 44-vjeçari grek kanë shkëmbyen fjalë dhe komente raciste. Sipas dëshmitarëve, zanafilla e debatit ishte emri i Maqedonisë, por më pas situata u përshkallëzua kur përfaqësuesi i ‘Agimit të Artë’ shpërtheu në thirrje raciste, kundër emigrantëve shqiptarë në Greqi. Klientët, që ishin në lokal kanë arritur që ti ndajnë nga njëri-tjetri, por pas kësaj shtetasi grek e ka kërcënuar Petrit Ziflën, se do ta vriste.

Më pas, duke drejtuar automjetin e tij në rrugën Dragonit-Spartero, në pjesën jugore të Korfuzit, anëtari i ‘Agimit të Artë’ pa në rrugë 63-vjeçarin dhe, pasi mori armën, e qëlloi me dy plumba. Viktima u gjet në një kanal të nesërmen nga kalimtarë. Ndërkohë arma e krimit u gjet në një zonë të pyllëzuar prej rreth 3 kilometra më larg. Pasi pranoi krimin, autori i tha policisë se 63-vjeçari Petrit Zifle e kishte sharë dhe ofenduar. Ndërkohë shumë organizata në Greqi janë solidarizuar dhe kanë dënuar vrasjen duke e lidhur atë me motivet raciste. Vrasjen e Petrit Ziflës e kanë dënuar dhe deputetë të partisë SYRIZA dhe Komiteti i Helsinkit në Greqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re