Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka përjetuar keq se kryeministri Haradinaj nuk u tërhoq as para Komisionerit Hahn në lidhje me taksën doganore 100 përqind, e nga ana tjetër nga Prishtina u njoftua themelimi i Ushtrisë më datë 14 dhjetor. Në lidhje me të parën, Haradinaj tha këmbëngulësisht se Kosova nuk do ta heqë taksën deri kur Serbia të njohë Pavarësinë e Kosovës.

“Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha i tensionuar Vuçiç në një konferencë për shtyp, duke paralajmëruar nëse Prishtina nuk bëhet e arsyeshme sa më shpejt të jetë e mundur, pasojat do të jenë katastrofike.

Ndërsa për Ushtrinë, Vuçiç tha se ajo “është në kundërshtim me Kushtetutën e tyre, të gjitha marrëveshjet me NATO-n dhe në kundërshtim me dëshirat e shpallura paktën publikisht e disa fuqive të mëdha”. Vuciç njoftoi për mundësinë e kërkesës për një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në qoftë se, siç tha, “disa nga kokat e nxehta të Prishtinës vendosin për të dërguar trupa në veri të Kosovës”.

“Këto lëvizje shqiptare nuk janë vetëm të papërgjegjshme, por na dhe sjellin rrezik të madh”, tha presidenti serb.

Vuçiç i dha dhe tone militare gjuhës së tij, kur tha se “qytetarët e Serbisë duhet të bashkohen në mbështetje të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”.

“Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen, për të ruajtur stabilitetin rajonal, por njerëzit në Serbi duhet ta kuptojnë se situata nuk është vetëm e vështirë, por edhe më e rëndë se kaq”, shtoi ai.

Ky zhvillim vjen një ditë pas Komisioneri Hahn vizitoi Beogradin e Prishtinën. Vuçiç priste një rezultat nga diplomati i lartë i Brukselit në lidhje me taksën doganore të vënë nga Prishtina, por fakti se Haradinaj nuk iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Hahn, ka çuar në ashpërsimin e gjuhës së presidentit serb.     

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re