Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka zhvilluar këtë të shtunë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, me ç’rast tha se po e realizojnë amanetin e të rënëve për liri.

 

“Në ditën e parë të funksionimit të Ushtrisë së Kosovës, sot jam këtu së bashku me kryetarin Jashari dhe kryetarin Lushtaku që të bëjmë nderimet më të larta kombëtare institucionale dhe shtetërore për jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë. Kjo po tregon se po realizohen objektivat dhe amaneti i dëshmorëve të lirisë”.

 

I pari i vendit tha se meritorë për të arriturat e Kosovës janë të shumtë, por për Prekazin, tha se si asnjë vend tjetër, është vend i respektit e sakrificës.

 

“Prekazi dhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari është vendi i respektit, i sakrificës, dhe vlerësimit të lartë për të arriturat e lirisë së Kosovës, të pavarësisë, sovranitetit dhe nga dje, edhe Ushtrisë së Kosovës”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re