Tomori pëson humbjen e parë në shtëpi përballë Bylisit duke komplikuar objektivat e fillim sezonit pasi distanca me vendin e parë që mbahet përkohësisht nga ballshiotët është gjashtë pikë. Ndeshja vendoset në pjesën ku u shënuan tre gola ndërsa në të dytën beratasit provuan pa mundur dot të ndryshojnë fatin e takimit.

Ndeshja nis menjëherë me gol për miqtë që përfitojnë nga një gabim i Pajës në mbrojtje dhe është sulmuesi Doseh që shënon me lehtësi. Beratasit provojnë të barazojnë menjëherë pas një rrëmuje në zonë të krijuar pas një goditje këndore por pa sukses. Çaço në një inkursion nga e djathta pretendon një shtyrje por gjithçka e rregullt për gjyqtarin Beqiri. Në minutën e 20’ kur vëmendja kishte kaluar në tribuna është Liçkollari që dyfishon me një goditje të fortë. Vendasit duken të paqartë në aksionet e krijuara ndërsa tekniku Devolli bën dy zëvendësime brenda këtij fraksioni loje duke hedhur në fushën dyshen sulmuese Ogbodike – Mahmutaj pasi ndeshjen e kishte nisur pa asnjë sulmues në fushë. Ndërsa miqtë janë të rrezikshëm në kundrasulm, si provuan me Bajramaj dhe Antoni. Beratasit do të shënonin në fund kur Çaço bën gjithçka vet në të djathtë dhe Koleci realizon me thjeshtësi pas asistit të tij.

Pjesa e dytë nis më mirë për Tomorin që ishin vendosur për të kthyer ndeshjen dhe ndërtojnë disa mundësi të varur nga inkursionet e Çaços dhe Kolecit që marrin shumë përsipër.  Ndërsa Bylis provon që me mbajtjen e topit dhe vonesat në lojë të ulin ritmin e ndeshjes. Por fillojnë të tregohen të rrezikshëm edhe në kundrasulme. Por deri në fund nuk ndryshon asgjë dhe Bylis merr një trepikësh me vlerë në Berat ndërsa Tomori javën e ardhshme udhëton drejt Elbasanit ku do të përballet me skuadrën më të dobët të grupit./Berati.TV

Të veçanta:

Shpesh tifozeria beratase ka atakuar me fyerjen presidentin e ballshiotëve, Besnik Kapllanaj duke treguar edhe rivalitetin mes dy skuadrave.

Tekniku Devolli kishte lënë në pankinë Sharavollin dhe Drabon, si masa teknike duke dobësuar shumë fuqinë sulmuese të skuadrës së vet.

Një përplasje verbale ka në stolin beratas mes trajnerit Devolli dhe mesfushorit Joti pasi ky i fundit kërkoj të largohej prej aty pasi nuk hyri në lojë dhe u kryen të tre zëvendësimet.

Tomori 1-2 Bylis

Shënues: Koleci 46’/ Doseh 2’, Liçkollari 20’

Tomori: Braçe, Markiori(Mahmutaj 43’), Beci, Mujkiç, Paja(23’ Ogbodike),Mersini, Dervishi(66’ Gjonaj), Shaqe, Çaço, Koleci, Frajdej. Tr. B. Devolli

Bylis: Bytyçi, Ntepe(69’ Janku), Kullira, Shyti, Peposhi, Bajramaj(61’ Mahmuti), Samnda, Zefi, Liçkollari(74’ Çela), Antoni, Doseh. Tr. Dodovan

Gjyqtarë: A. Beqiri, M. Shazivari, M. Zaimi (Tiranë)

Delegat: U. Zajmi (Tiranë);   Vëzhgues: F. Hagjaraj (Tiranë)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re