Arbitrazhet vazhdojnë të “gërryejnë” financat shqiptare ku Shqipëria po paguan miliona euro për përballjet e saj në gjykatat ndërkombëtare.

Në 26 maj 2021 në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID)u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti. Në rifreskimin që i është bërë të dhënave për këtë çështje thuhet se “Sekretari i Përgjithshëm regjistroi një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë”.

Vetëm pak javë më parë, në fillim të muajit prill avokatët e investitorit bënë me dije në media se tashmë gjykata i kishte dhënë të drejtë biznesmenit italian duke rrëzuar kështu kërkesën e Shqipërisë për anulimin e vendimit që detyronte vendin tonë t’i paguajë 110 milionë euro. Mbetet ende e paqartë se cila është kërkesa e Shqipërisë në këtë hap duke kërkuar korrigjim por njohës të çështjeve ligjore edhe në aspektin e përplasjeve ndërkombëtare kanë shprehur se Shqipëria nuk ka gjasa që të fitojë këtë përballje dhe do të jetë e detyruar që të paguajë.

Në datën 26 maj 2021 Shqipëria kishte regjistruar kërkesën e saj për anulim në gjykatë, përmes Avokaturës së Shtetit dhe studios ligjore Ëragge Laërence Graham, London, Britani. Kjo është studio e parë që qeveria ka pasur të kontaktuar gjatë përballjes që pati me investitorin në vitin 2015 ndërkohë që në fazën e dytë kur u kërkua anulimi në krah të Avokaturës ishte studioja ligjore amerikane Foley Hoag.

Duket se çështjet e Arbitrazhit do të kenë më shumë shpenzime në horizont pasi po në datë 26 maj Avokatura e Shtetit njoftoi në faqen e saj se po kërkonte një studio ligjore që do të bënte përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, në një proces arbitrazhi të iniciuar para Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve së Investimeve (ICSID).

Të njëjtën kërkesë Avokatura e bëri edhe në muajin prill kur në vend vlonte çështja e zgjedhjeve dhe vëmendja ishte larg. Në njoftimin e datës 13 prill Avokatura kërkon një studio për përfaqësim të interesave të Shqipërisë po në (ICSID).

Në këtë gjykatë aktualisht janë në vazhdim përveç çështjes së Becchettit edhe ajo me Arka Energy e cila ka paditur Shqipërinë pas tërheqjes nga kontrata për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Akërnisë. Kompania edhe pse nuk ka dhënë publikisht detaje mbi shumën që ka kërkuar nga burime pranë saj është lakuar shifra 110 milionë euro.

Arbitrazhet, si rrezik për financat

Arbitrazhet ndaj Shqipërisë viteve të fundit janë rritur në mënyrë të dukshme. Dy nga gjashtë çështjet i takojnë vitit 2020 dhe në total, dëmshpërblimi potencial për të gjitha llogaritet rreth 450 milionë euro. Vetëm pak kohë më parë Shqipëria humbi arbitrazhin me kompanitë “Aktor” dhe “Copri”.

Këta të fundit ishin ndërtuesit e dy loteve të autostradës Tiranë-Elbasan dhe përplasjet që patën me qeverinë bënë që shteti në finale të paguante 45 milionë USD. Një tjetër çështje në vazhdim është ajo me “Dondi & Kubota” ku humbja e shtetit shqiptar llogaritet në 90 milionë euro nga të cilat vetëm 20 milionë si pretendim gjykate ndërsa pjesa tjetër lidhet me mospërfundimin e investimit.

Në 23 shtator 2020, pranë ICSID, u regjistrua një tjetër çështje kundër Shqipërisë. “Kompania Durrës Kurum Shipping” dhe të tjerë paditën shtetin duke kërkuar 100 milionë euro kompensim për prishje të njëanshme të kontratës. Këtyre më pas u shtohen edhe çështja e Becchettit dhe ajo e Akërnisë që rrisin në mënyrë të jashtëzakonshme shumën potenciale që Shqipëria mund të humbasë të Arbitrazhe./Monitor

(E.H/Faxweb.al)

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re