Sektori bankar ristrukturoi 23 miliardë lekë ose rreth 186 milionë euro kredi vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shumica e ristrukturimeve, rreth 21 miliardë lekë u kryen në gjysmën e dytë të vitit. Në pjesën më të madhe të rasteve, ristrukturimi është realizuar me kërkesë të klientit dhe volume më të mëdha i takojnë bizneseve, me rreth 90% të vlerës së kredisë totale të ristrukturuar gjatë vitit.

Nga sektorët e ekonomisë sipas llojit të aktivitetit, sektori i industrisë është ai që ka paraqitur kërkesën më të lartë për ristrukturim kredish. Bizneset kredimarrëse nga sektori i industrisë kanë ristrukturuar rreth 11% të stokut të përgjithshëm të kredisë ose sa rreth 40% e gjithë vëllimit të kredive të ristrukturuara nga sektori bankar gjatë periudhës. Gjatë vitit 2020, sektori i industrisë ishte një nga sektorët me rënien më të fortë të prodhimit dhe me kontributin më të madh në tkurrjen e ekonomisë vendase. Rënia me 6% e prodhimit të sektorit të industrisë ka ndikuar edhe në uljen e aftësisë paguese të bizneseve kredimarrëse në këtë sektor.

Viti 2020 rezultoi i vështirë edhe për sektorët e turizmit dhe të tregtisë. Të dy këta sektorë kanë regjistruar tkurrje në krahasim me vitin e kaluar dhe efekti i rënies ekonomike është pasqyruar edhe në ecurinë e kredisë për këta sektorë. Kredia e ristrukturuar për këta sektorë ishte rreth 6 miliardë lekë ose sa një e katërta e kredisë së përgjithshme të ristrukturuar gjatë vitit.

Efekti negativ i pandemisë është vënë re në mënyrë të veçantë në ecurinë e kredisë për sektorin e turizmit:11% e stokut të kredisë së dhënë për këtë sektor i është nënshtruar ristrukturimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 75% e kredisë së ristrukturuar ishte në valutë të huaj.

Format kryesore të ristrukturimit të përdorura nga bankat ishin zgjatja e afatit të maturimit, kapitalizimi i interesit ose kamatvonesave, ndryshim i principalit dhe caktimi i një periudhe vonese për principalin ose interesin e kredisë. Mbi 60% e kredisë së ristrukturuar është kryer në formën e zgjatjes së afatit të maturimit, ndërsa pjesa e mbetur është kryer nëpërmjet formave të tjera.

Ristrukturimi i kredive për subjektet e prekura nga efektet e pandemisë u mbështet edhe nga masat e përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Këto masa i lejuan bankat të mos riklasifikonin me një status të përkeqësuar kreditë e ristrukturuara, me qëllim mbështetjen e klientëve në vështirësi të përkohshme. Këto masa ishin në fuqi deri në fund të muajit mars 2021. Vlera totale e kredisë së ristrukturuar përllogaritej sa rreth 3% e portofolit të total të kredisë për ekonominë në fund të vitit 2020. Rrjedhimisht, edhe me shfuqizimin e masave lehtësuese nuk pritet një ndikim shumë i madh i këtij segmenti të portofolit në ecurinë e raportit të kredive me probleme./Monitor

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re