Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se janë “të shqetësuar në lidhje me pasigurinë në verilindje të Sirisë” pasi organizata terroriste YPG/PKK hapi zjarr ndaj popullatës civile që protestonte kundër tyre ku u vranë 8 persona në Munbixh të Halepit në Siri.

Stano në një prononcim për AA deklaroi se ata kanë parë lajmet se kishte viktima në protestat në Munbixh.

“BE-ja mbetet e shqetësuar për pasigurinë e vazhdueshme në verilindje të Sirisë. BE-ja përsërit thirrjen e saj për të gjithë aktorët për të zbatuar një armëpushim mbarëkombëtar në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Stano.

Ai thekson se BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve në krizën siriane që të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar.

“Kjo përfshin edhe detyrën për të mbrojtur civilët. BE-ja konsideron se çdo shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut nga çdo palë në konfliktin në Siri duhet të mbajë përgjegjësi. Kërkesat e pakicave etnike dhe fetare në Siri janë në përputhje me zbatimin e Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe për këtë arsye duhet të merren parasysh siç duhet në të ardhmen e Sirisë”, tha Stano.

Ai theksoi se vetëm një zgjidhje politike nën kujdesin e OKB-së dhe nën udhëheqjen e sirianëve mund t’i japë fund krizës në Siri.

– Ngjarjet në Munbixh

Qindra civilë në qendrën dhe lagjet përreth Munbixhit, popullsia e të cilëve është 99 për qind arabe, ishin mbledhur në fillim të javës për të protestuar kundër YPG/PKK e cila rekruton djem dhe vajza nën emrin e “shërbimit të detyrueshëm ushtarak”.

Kur terroristët e YPG/PKK hapën zjarr mbi protestuesit, 1 civil u vra dhe 3 të tjerë u plagosën. Pas incidentit turma e zemëruar në qendrën e rrethit sulmoi pikën e kontrollit të YPG/PKK-së në rrugën e Halepit, i vuri flakën dhe reagoi kundër organizatës duke mbyllur grilat.

Gjithashtu organizata hapi zjarr ndaj civilëve, duke vrarë 7 persona dhe plagosi 27 të tjerë. Organizata kishte vendosur një “shtetrrethim” për 48 orë nga mesnata për të parandaluar protestat.

Organizata terroriste YPG/PKK për një periudhë prej rreth një viti arreston djemtë dhe vajzat të lindura në vitet 1990-2003 nën emrin “shërbimi i detyrueshëm ushtarak”, për t’u bashkuar me ta në stafin e saj të armatosur.

Në këtë mënyrë, organizata terroriste rekruton me forcë fëmijë dhe të rinj arabë në rajonet e pushtuara Munbixh, Aynularab (Kobani), Qamishli, Malikiyye, Dirbasiye, Haseke, Raqqa dhe Deir ez-Zor.

– Munbixhi pushtohet nga organizata pavarësisht marrëveshjeve

Munbixhi i Halepit është pushtuar nga YPG/PKK që nga gushti i vitit 2016. SHBA-ja kishte premtuar se pjesëtarët e YPG/PKK-së do të largoheshin nga Munbixhi pasi qyteti të pastrohej nga DEASH-i.

Pasi administrata e Washingtonit nuk e përmbushi zotimin e saj, Turqia dhe SHBA-ja ranë dakord për udhërrëfyesin e Munbixhit në qershor 2018, por udhërrëfyesi nuk mund të përfundohej për shkak të vonesave të SHBA-së.

Rusia gjatë operacionit “Burimi i Paqes” u angazhua për largimin e organizatës terroriste nga Munbixhi me marrëveshjen që arriti me Turqinë në tetor 2019. Por, YPG/PKK, e cila vazhdon okupimin e saj në rajon, vazhdon përpjekjet e saj për të infiltruar në vijat e frontit të Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) nga pozicionet e saj me sulme artilerike dhe raketa ndaj vendbanimeve civile.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re