Partia Demokratike rezultatin e 25 prillit e ka cilësuar si një “masakër elektorale” duke hedhur akuza për manipulime ndaj Partisë Socialiste.

Kjo situatë ka shkaktuar debat në opinionin publik mbi qëndrimet që pritet të mbajë selia blu nëse do ta pranojë apo jo rezultatin e zgjedhjeve.

Analisti Andi Bushati tha në emisionin “Shock” në Euronews Albania se, kryedemokrati Lulzim Basha e ka humbur “atributin e mburojës” së interesit të qytetarëve, përballë keqqeverisjes së socialistëve.

Ai pohon se PD-ja me këto lëvizje të deritanishme duket se do të zgjedhë të përballet me mazhorancën në dy forma, në Parlament dhe përmes protestave në rrugë.

“Basha ka folur në fakt për mosnjohje të zgjedhjeve, por pa përcaktuar se çfarë nënkupton kjo. Edhe PD-në edhe publikun e ka lënë në një errësirë…. të dalë ku të dalë. Me siguri, me gjithë trajektoren që ka zgjedhur, ai thotë nuk do t’i njohë zgjedhjet, por do shkojë në parlament. Basha është në një pozicion të vështirë dhe ai duhet të largohet. Basha në politikën e tij është as mish as peshk, nëse do të jetë në krye të PD, ai duhet ta ndajë mendjen se çfarë duhet të jetë. Basha nuk po di se çfarë forme do t’i japë betejës me regjimin. Opozita dhe PD sot ka humbur atributin e mburojës së qytetarëve ndaj regjimit”, tha Bushati.

Analisti Baton Haxhiu u shpreh se Basha duhet ta rifitojë drejtimin e Partisë Demokratike, dukë bërë një proces zgjedhor të hapur dhe transparent.

Përballja e opozitës, me mazhorancën në rrugë dhe në Parlament për z. Haxhiu do të rezultojnë efektive.

“Puna e parë e Bashës është që duhet ta rifitojë me një garë kreun e Partisë Demokratike dhe gara brenda PD duhet të jetë e hapur për secilin. PD duhet të jetë në parlament. Jeta joinstitucionale ka një gradacion. Nga jashtë institucionit pushtetin mund ta marrësh vetëm me revolucion. Unë besoj se do t’i bëjë të dyja, dhe nëse vijon kështu, jam i bindur se do ketë sukses”, shtoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re