Numri i fëmijëve të grupmoshës 0-15 vjeç po tkurret vit pas viti, prej emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.

Sipas të dhënave e INSTAT në janar të vitit 2021 popullata nga 0-14 vjeç u pakësua me 11.5 mijë persona në raport me 1 janarin e vitit 2020, me tkurrje 2.4% në një vit.

Nga njëra anë, sistemet arsimore do të lehtësohen nga numri i nxënësve. Në ciklin parashkollor, në nivelet e tjera të arsimit, do të ketë më pak nxënës, duke krijuar kushtet për rritjen e cilësisë së shërbimeve. INSTAT raportoi në vitin 2019, se 16.3% e të rinjve largohen para kohe nga shkollimi dhe trajnimi. Meshkujt kanë tendencë më të lartë.

Të dhënat tregojnë se 75.9% e fëmijëve janë të regjistruar në kopshte, 93.1 % e fëmijëve janë të regjistruar në ciklin e ulët fillor, ndërsa vetëm 76.2% e të rinjve janë të regjistruar në arsimin e mesëm. Për çdo 1000 banorë ka 141 nxënës në vitin 2019 nga 148 nxënës për 1000 banorë në vitin 2018.

Në ciklin 9-vjeçar 1.5% e nxënësve përsërisin vitin. Por raporti i diplomimit arriti në 84.6% të totalit të nxënësve më 2018, në raport me 78.3% që ishte më 2017, ndërsa 23% e të rinjve e përdorin internetin për të komunikuar me autoritet publike.

Numri i fëmijëve dhe të rinjve nga 0-17 vjeç që po përfshinë në vepra penale po rritet. Në vitin 2019 numëroheshin 960 fëmijë që kishin kryer vepra penale.

Fëmijët janë të ekspozuar ndaj abuzimeve. Sipas INSTAT në vitin 2019 mbi 6% e fëmijëve në moshën 0-17 ishin të ekspozuar ndaj veprave penale.

Gjatë vitit 2020, lindën 28.075 foshnja, duke pësuar një rënie prej 1,7%, krahasuar me një vit më parë. Në tre qarqe të vendit pati rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2019, ndërsa nëntë të tjerë shënuan rënie.

Numri më i lartë i lindjeve shënohet në Qarkun e Tiranës, me 9.387 lindje, ndërsa ai më i ulët regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, me 504 lindje, për vitin 2020. Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve, gjatë vitit 2020 krahasuar me vitin 2019, e zë Qarku i Lezhës, me 3,3 %, ndërsa rënien më të lartë në përqindje, e zë Qarku i Kukësit, me 21,1 %.

Në 1 janar 2021, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2020, nga 24,6% në 24,2%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit, nga 21,6 % në 22,3 % gjatë të njëjtës periudhë./Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re