Shqipëria nuk është ende në fazën për të çuar dosjet në gjykatën e Hagës në funskion të zgjidhjes së kufirit detar me Greqinë. Këtë përgjigje dha në “Absolut 4” ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, kur u pyet se çfarë pune po bën qeveria për të zgjidhur këtë çështje. Sipas saj grupet e ekspertëve të dy vendeve aktualisht po punojnë në përgatitjen e dosjes për të ngritur çështjen në bazë të kornizës ligjore.

“Marrëveshja për delimitimin e hapësirës detare Shqipëri-Greqi ra në mars 2010 kur Gjykata Kushtetuese mori vendim për ta bërë të pavlefshme dhe nga ai moment nuk ka pasur më as negociata e bisedime, por ka pasur vullnet politik, kur erdhi ministri i Jashtëm grek një vit më parë për ta çuar çështjen në Hagë.

Në këtë fazë të dy grupet Greqia dhe Shqipëria dhe stafet teknike po përgatisin çështjet e tyre. Nuk jemi në fazën për të çuar dosjet në gjykatë, dhe sesi do të koordinohet bashkëpunimi për ato pika që duhet të çohen në gjykatë kjo do të duhet parë duke pasur parasysh edhe kornizën ligjore që dikton çuarja në gjykatë e kësaj dosje.

Për momentin ekspertë po bëjnë punën e tyre për të ngritur çështjen, për të marrë të gjitha referencat ligjore për të ndërtuar një çështje që qëndron sa i takon interesit shtetëror”, tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re