Ne një video qe po qarkullon ne rrjet shihet ish-kryeministri Fatos Nano duke hyrë në zonën VIP të Aeroportit të Rinasit i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Xhoana.

Siç shihet nga pamjet Nano është në gjendje të mirë shëndetësore, në ndryshim nga video e fundit që qarkulloi, ku ish-kreu i socialistëve shihej të ecte në një karrige me rrota në një spital privat.

Nuk dihet ende se cili është destinacioni i Nanos, dhe as nëse ky udhëtim i tij lidhet me çështje të shëndetit, ndërkohë që menjëherë sapo kanë parë praninë e kamerës, shoqëruesit e tij kanë kërkuar që të mos filmohej.

Nano është kujdesur që gjatë gjithë këtyre viteve post angazhim politik, të jetë jashtë vëmendjes së mediave, dhe daljet e tij publike dhe televizive mund të numërohen me gishtat e dorës.

Të vetmet herë kur ai ka vendosur që të shfaqet, janë të menduara, siç ishte dhe rasti i para zgjedhjeve, kur ai doli në emisionin Opinion dhe ofroi mbështetjen e tij për mandatin e tretë të Edi Ramës, duke prekur sadopak sedrën e nostalgjikëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re