Një cisternë plot kimikate po fundoset në brigjet e Sri Lanka-s ndërsa bota ka frikë se aksidenti mund të kthehet në një katastrofë mjedisore.

Cisterna X-Press Pearl, e regjistruar në Singapor, u dogj për gati dy javë para se zjarri të shuhej këtë javë, raporton BBC.

Nëse anija mbytet, qindra ton karburant mund të derdhen në det dhe të shkatërrojnë jetën detare atje.

Flotat detare të Sri Lanka dhe Indisë kanë punuar së bashku në ditët e fundit për të shuar zjarrin dhe tani për të parandaluar thyerjen dhe fundosjen e anijes, por funksionimi i tyre vështirësohet nga detet e ashpra dhe erërat e musoneve.

Zëdhënësi i Marinës së Sri Lanka-s, Indika Silva i tha BBC se “ekipet e shpëtimit po përpiqen ta tërheqin anijen në det të thellë para se ajo të fundoset, për të minimizuar ndotjen e detit”.

Ekologia Ajantha Perera paralajmëroi se mundësia e fundosjes ishte “skenari më i keq për mjedisin”.

“Me gjithë ngarkesën e rrezikshme, acidin nitrik dhe përbërësit e tjerë, si dhe karburantin e anijes, fundosja do të çojë në shkatërrimin e të gjithë shtratit të detit,” shtoi ajo.

Zona bregdetare afër qytetit Negombo është tashmë e ndotur me naftë dhe ndotje të tjera.

Ministria e Peshkimit në Sri Lanka ka njoftuar se masat emergjente kanë hyrë në fuqi për të mbrojtur Lagunën e Negomba-s dhe zonat përreth.

Zyrtarët e Sri Lanka-s besojnë se zjarri u shkaktua nga një rrjedhje e acidit nitrik me të cilin ekuipazhi u ballafaqua që nga 11 maj. Anija po transportonte 25 tonë acid shumë gërryes, i cili zakonisht përdoret në prodhimin e plehrave dhe eksplozivëve.

X-Press Shipping, një firmë me bazë në Singapor që zotëron anijen, konfirmoi që ekuipazhi ishte në dijeni të rrjedhjes, por që Katari dhe India kishin refuzuar lejen për të hyrë në ujërat e tyre.

Fakti që Sri Lanka lejoi anijen të hynte në ujërat e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga publiku.

Zyrtarët kanë paraqitur një ankesë policore kundër kapitenit të anijes, i cili u shpëtua javën e kaluar së bashku me anëtarët e tjerë të ekuipazhit.

Policia e Sri Lanka-s dyshohet se mori në pyetje kapitenin dhe inxhinierin për më shumë se 14 orë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re