Ndonëse ka vetëm pak javë që ka marrë detyrën e re, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Fitore Pacolli duket se ka gjetur kohën për t’u angazhuar në fushatën zgjedhore të Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli thotë se krimi i organizuar dhe korrupsioni po i marrin frymën Shqipërisë, ndërsa bën thirrje të votohen kandidatët e Vetëvendosjes, të cilët në zgjedhjet e 5 prillit janë tre.

Ajo gjithashtu ka kundërshtuar ndërtimin e dy hidrocentraleve, ku dhjetra banorë të zonës së Mirditës protestuan sot kundër. Mes 33 të shoqëruarve nga policia për organizim të paligjshëm të protestave, 18 ishin aktivistë të Vetëvendosjes.

Postimi i plotë i Pacollit:

Qytetarët e Shqipërisë kësaj radhe mund të vendosin #KrejtTjetër. Korrupsioni e krimi i organizuar u ka zënë frymën.

Sot qenkan arrestuar aktivistët që tentuan të ndalojnë zaptimin e radhës së lumenjve.

Lumi i Thirrës është e mirë publike jo pronë e oligarkëve që ua kanë mësyrë edhe atyre pak pasurive të pakta natyrore që kemi. Uji për pije dhe ujitje është e drejtë garantuar me konventa ndërkombëtare.

Hidrocentralet e vogla janë mashtrimi më i  madh që qeveritë e korruptuara të rajonit i kanë prezantuar qytetarëve të tyre. Hidrocentralet e vogla nuk janë projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet. Nga hidrocentralet e vogla kanë përfituar vetëm qeveritarët e oligarkët. Ndërsa komunitetet kanë mbetur pa lum, pa ujë për pije, e pa ujë për ujitje. Tani shembuj të tillë kemi shumë në Kosovë e Shqipëri, në Maqedoni e Mal të Zi, në Bosnje e Serbi.

Aty ku sot ka hidrocentral nuk ka banorë që dikur popullonin zona të tëra. Nuk ka as florë e faunë. Shqipëria sikur nuk e ka ndër mend të ndalet po vazhdon shkatërrimin nga Valbona e deri në Vjosë.

Ne në Kosovë do të shpëtojmë ata lumenjë që na ka mbetur e do të restaurojmë aq sa mundemi ata që tashmë na i kanë shkatërruar.

Kosova e bëri ndryshimin!

Ndjek rrugën e Kosovës Shqipëri!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re