Në kuadër të veprimtarive të 18 Majit, Ditës Ndërkombëtare e Muzeve, Qendra Muzeore Berat organizoi një seri veprimtarish që startuan me ekspozitën e titulluar “Thesare të risjella në jetë” që u propozohet vizitorëve si një pavijon i ri gjatë një periudhe njëvjeçare.

Kreu i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se është një koleksion ikonash dhe objektesh një pjesë e tyre të pa ekspozuara më parë të cilat në një periudhë jo shumë të gjatë prej 7-8 vitesh i janë nënshtruar procesit të ndërhyrjes restauruese në Laboratorin e veprave të Artit në QM Berat por dhe në atë të DRTK-së.

“Thesare të sjella në jetë” konsiston në një koncept të ri në menaxhimin e vlerave të trashëgimisë kulturore për ti dhënë jetë koleksioneve e për të qenë me aktiv në kujdesin ndaj tyre, për t’i bërë më të ekspozueshëm, më të prekshëm për publikun, për ta bërë muzeun përherë me joshës e destinacion.

“E konceptuar në këtë mjedis të veçantë dhe impresionues që i paraprin Laboratorit të Veprave të Artit si edhe në fondin e ekspozuar në të kemi pasur qëllim të sjellim tek publiku për të bërë prezente atë anë të fshehtë, të padukshme e plot mister të asaj pune të madhe, shumë të rëndësishme, që realizohet ditë pas dite pa ndërprerje si detyrim parësor për konservimin e fondit të veprave të muzeut dhe të vet monumentit, kishës Fjetja e Shën Mërisë”, tha Demo.

Është një seri ikonash që u atribuohen mjeshtërve më të njohur ikonografë: Nikollës, Onufër Qipriotit, mjeshtërve të atelies së familjes Cetiri, disa autorëve anonimë etj., kapak ungjijsh, si dhe lipsanat e shenjtorëve Angjellari e Gorazdi, një koleksion i dorës së parë të realizuara ndërmjet shekujve 16-20.

Ky koleksion kaq i bukur që sot ne e admirojmë është risjellë në këtë gjendje falë punës dhe përkushtimit të restauratorit të Erion Lezi dhe të dy kolegëve të DRTK-së, Altin Tabaku dhe Miltiadh Bibo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re