Fshati Morave përbëhet me më shumë se 3500 banorë, dhe banorët e këtij fshati kanë problem se sipërfaqja e tokës e cila është e destinuar për varrezat e fshatit, ka edhe shumë pak vend për të kryer varrimet.

Si rrjedhojë kohët e fundit ata janë të detyruar që të fusin dhe dy vdekur në një varr, p.sh nusen dhe vjehrrën. Ata iu drejtuan Fiks Fare pasi nuk kanë gjetur zgjidhje nga pushteti lokal. Një banor shprehet se kanë dërguar letër në Bashkinë e Beratit, madje ka bërë edhe kallëzim penal në polici pasi kjo është e pa lejueshme sipas nenin 188 Kodit Penal, “Për Dhunimin e Varreve” ku thuhet shprehimisht “Dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja e kufomës, si dhe vjedhja e sendeve që mund të ndodhen në to, si dhe çdo veprim tjetër që ul respektin ndaj të vdekurve, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”.

Të njëjtin shqetësim e kanë ngritur dhe në Njësinë Administrative Otllak, por ende nuk ka marrë përgjigje. Në parcelën e varrezave aktuale ka vend, por banorët thonë se ato janë varre mbi 100 vjeçar të cilat nuk duhet të preken. Për ta e vetmja mundësi është që të blihet sipërfaqe toke pronarëve që janë afër varrezave dhe të kenë mundësi të varrosin njerëzit e tyre të dashur që largohen nga kjo jetë.

Fiks fare u interesua edhe në Bashkinë Berat ku drejtori i Emergjencave z. Erlin Kuçi pohoi se ankesë për një gjë të tillë kanë marrë vetëm nga një banor. Ankesa se nuk ka më vende të lira në varrezat e Moravës është dorëzuar në Bashkinë Berat në dt 6 prill 2021.

” Tani jemi në një fazë shpronësimi, pasi ky ka qenë një problem i mbartur vite më parë dhe një nga arsyet se situata ka ardhur deri këtu është sepse banorët vet nuk kanë rënë dakord me vlerën përkatëse që shteti ka ofruar” shprehet drejtori Kuçi. Ai pohon për Fiksin se Zyra Juridike e bashkisë ka bërë një kërkesë në datë 14 prill përsa i përket procedurës së shpronësimit. Drejtori gjithashtu shprehet se janë angazhuar maksimalisht dhe janë në bashkëpunim dhe me kryeplakun e fshatit dhe me banorët për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejt të mundshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re