Shefi i inteligjencës egjiptiane Abbas Kamel dhe kreu i grupit palestinez të rezistencës Hamas në Gaza, Yahya Sinwar, të hënën hodhën gur themelin për ndërtimin e një lagjeje rezidenciale në Rripin e Gazës.

Lagjja do të mbikëqyret dhe financohet nga Egjipti. Ky hap erdhi gjatë vizitës së Kamel-it në Gaza, ku u diskutua rreth armëpushimit të fundit midis Izraelit dhe Hamasit dhe rindërtimit të qytetit pas agresionit izraelit.

Kamel, i shoqëruar nga Sinwar dhe disa udhëheqës të tjerë të Hamasit, zhvilluan një vizitë inspektuese në vendin për ndërtimin e lagjes së banimit, e cila ndodhet në komunën Al Zahra.

Kamel nuk bëri asnjë deklaratë gjatë vizitës së tij.

Sinwar gjatë një deklarate për shtyp tha se shumë lagje banimi do të ngrihen në pjesë të ndryshme të Gazës në të ardhmen, “në mënyrë që të zgjerojnë brezat e rinj që u privuan nga e drejta e tyre për jetë si rezultat i bllokadës izraelite dhe filluan të humbin shpresën për jetë”.

Të hënën, Kamel mbërriti në Rripin e Gazës për bisedime me udhëheqësit e Hamasit.

Kamel, i cili arriti në territoret palestineze të dielën pritet gjithashtu të takohet edhe me udhëheqësit e fraksioneve të tjera palestineze.

Të dielën, ai u takua me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas, me të cilët diskutuan rreth armëpushimit në Gaza dhe rindërtimit në territoret palestineze. Vizita erdhi ndërsa ministri i Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi, vizitoi Kajron për bisedime me zyrtarët egjiptianë.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti hyri në fuqi në orët e para të 21 majit, i cili i dha fund bombardimeve 11-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Sulmet izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor vranë të paktën 289 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe lanë pas shkatërrime të mëdha. Në shënjestër të sulmeve izraelite ishin edhe qendrat shëndetësore, zyrat e medias, si dhe shkollat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re