Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave hapi Këndin Arkivor në ambientet e bibliotekës së qytetit të Beratit.

Në hapjen e këtij Këndi Arkivor të pranishëm ishin drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Prof.Asoc.Dr. Ardit Bido, drejtori i Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”,  Arben Qafa, kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo.

Për ata që do të vizitojnë shërbimin që ofrohet në Këndin Arkivor Berat, procedurat janë të njëjta si në sallën e studimit në Tiranë, pa më të voglin ndryshim.

Në këtë kënd, përmes kësaj platforme, çdo studiues, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i shtetit shqiptar, pa qenë e nevojshme të udhëtojë drejt sallës së studimit të DPA-së.

DPA fton çdo qytetar që të përfitojë nga ky shërbim i ofruar duke respektuar rregullat e saj. Këndi Arkivor shërben vetëm për arsye studimore. Nëse dëshironi dokumente pronësore, amza shkollore, vjetërsi pune e dokumente të tjera biografike, duhet të bëni aplikim pranë Postës Shqiptare ose në faqen zyrtare.

Studiuesi gjatë kohës që shfrytëzon Këndin Arkivor është i detyruar të zbatojë rregulloren e bibliotekës së qytetit të Beratit.

Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet nga çdo kompjuter me lidhje me internet, jashtë këtij Këndi Arkivor.

Dosjet e porositura nga ju do të shërbehen ditën që keni përzgjedhur në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune. Nëse dëshironi të porosisni kopje dixhitale të një ose disa dokumenteve, ndiqni udhëzimet që ofron sistemi, përfshi edhe mënyrat e pagesës.

Nisma synon hapjen e 100 këndeve arkivore kudo ku jetojnë shqiptarë, por aktualisht ky është një shërbim që ofrohet në Gjirokastër, Sarandë, Pogradec, Lushnjë, Shkup (Maqedoni e Veriut), Prishtinë dhe Elbasan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re