Mbrëmjen e djeshme në studion e emisionit “Log.” u diskutua mbi partitë e vogla dhe objektivat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, ku nuk mungoi debati mes kreut të PR-së, Fatmir Mediu dhe drejtuesit të Bindjes Demokratike Astrit Patozi.

Mediu tha se cdo votë që nuk përkthehet në mandate shkon në favor të Edi Ramës, ndërsa Patozi me ironi i tha se “kjo bëhet vetëm po hyre në sqetullën e Lulit, po dole nga sqetulla ikin votat e republikanëve”.

Kreu i PR-së i kërkoi Patozit që të matej para se të fliste, pasi nuk “nuk hyj në sqetullat e asnjërit. Kam bërë një koalicion për të larguar një të keqe të madhe”, referuar Edi Ramës.

Debati mes Mediut dhe Patozit:

Fatmir Mediu: Kjo është një marrëdhënie pluraliste në raport me këtë sistem elektoral që kemi ne për t’u përballuar me këtë të keqe që kemi.

Astrit Patozi: Nuk po të gjykoj, është zgjedhja jote.

Fatmir Mediu: Nuk dua që asnjë votë e republikanëve të shkoj në favor të Edi Ramës.

Astrit Patozi: Bravo të qoftë, shumë mirë dhe kjo bëhet vetëm po hyre në sqetullën e Lulit, po dole nga sqetulla ikin votat e republikanëve.

Fatmir Mediu: Ore zotëri, e para matu kur flet…

Astrit Patozi: Për cfarë të matem?

Fatmir Mediu: Ti mos më thuaj kam hyrë në sqetull, asgjëkundi, se nuk hyj në sqetullat e asnjërit. Kam bërë një koalicion për të larguar një të keqe të madhe.

Astrit Patozi: Ore ke hyrë në çadër, meqë e paske problem punën e sqetullës.

Fatmir Mediu: As në çadër, as në poture dhe as në sqetull, që ta dish, kam marrë një pozicion në raport me atë që unë mendoj se është e drejtë, largimi i Edi Ramës. Nuk dua që vota e PD dhe PR-së të shkojë në favor të Edi Ramës, pasi cdo votë që nuk përkthehet në mandat shkon në favor të Edi Ramës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re