Jemin Gjana, kryetar i Komisionit Zgjedhor në PD-së u ka kthyer një përgjigje të 3 kandidatëve për kreun e kësaj force politike, se kjo strukturë e ngritur nuk është në shërbim të kryetarit aktual Lulzim Basha.

Në intervistën e dhënë për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku, Gjana tha se anëtarët e këtij Komisionit janë emra me një kontribut të madh në PD dhe jo emërim i Lulzim Bashës. Ai u ndal që të analizojë secilin prej anëtarëve, që tha se janë aty përtej emrit që ka drejtuar PD-në ndër vite.

“Unë jam kryetar i këtij Komisioni jo këtë herë, por që nga 2017, jam në këtë pozicion më shumë se 8 vite i zgjedhur nga Këshilli pa asnjë votë kundërshtuese dhe jam në këtë pozicion se jam nga njerëzit e PD që kam 30 vite në PD i pa shkëputur asnjëherë dhe aktiv në këto procese jo tani, por që nga ’92, jam propozuar dhe miratuar për efekt të kësaj eksperience dhe kësaj cilësi. Lidhur me kolegë të tjerë nuk janë emërtesa, se mund të vinim anëtarë komisioni një sekretar të PD apo nënkryetar partie, janë vendosur 2 anëtarë kryesie që nuk janë të vendosur nga Basha, por janë të vendosur në një garë të fortë, nuk e ka zgjedhur Basha Këlliçin, por ka fituar garën, Vokshi është kryetare e Forumit të gruas, nuk është vendosur nga Basha, por nga gratë anëtarë të këtij Forumi.

Në Kryesitë e degëve nuk  kemi lënë që ta kryesojnë kryetarët se e kanë një miratim nga qendra, i kemi shmangur, do jetë 1 nga nënkryetarët se janë zgjedhur nga Kryesia atje, pra nuk janë nga qendra dhe janë zgjedhur jo tani po para 4 vitesh. Moza Sekiu është një nga gratë që ka 30 vjet në PD, pozicione pushteti nuk është përherë të parë me Bashën, ka një eksperiencë të gjatë, Albert Avdylaj është marrë si anëtarë i Komisionit, ka 15 vite që punon në organizimin e partisë dhe njeh këto në degë. Nuk janë emërtesa të Bashës, por njerëz që nuk e kanë lidhur të qenit me PD për Bashën dhe Berishën, se kanë nga 30 vjet. Unë nuk jam këtu se ka qenë PD Basha apo Berisha, por për shkak të afeksionit tim të kësaj partie, lojë politike dhe debate që lënë një lloj kontesti dhe nënkuptimi, por e vërteta është kështu si unë”, tha Gjana.

Ngritjen e Komisionit të Apelimit, Gjana e cilëson si një proces të rëndësishëm, por thekson se nuk do të ndikojë në procesin zgjedhor, për shkak se nuk do të ketë episode që të kontestojnë zgjedhjet e 13 qershorit.

“Duhet të formatohet ai komision se janë struktura statutore, por unë nuk kam asnjë arsye dhe nuk ka për të shkuar në ankimime të këtyre nivele, nëse nuk i bëjmë për të stisur se ne nuk do të lejojmë që të ketë të tilla ngjarje që të kontestojnë procesin”, tha ndër të tjera Gjana.

Mes kritikave të shumta të 3 kandidatëve, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli dhe gara me Bashën është e pabarabartë, Gjana tha se kjo akuzë nuk qëndron.

” Ka pasur kontestime dhe para se të niste procesi, një pjesë e kandidatëve apo atyre që lancuan me shpejtësi kërkesën për të hyrë një proces zgjedhor, filluan komente se si do të jetë procesi. Ka kërkesa që i përkasin punës së komisionit ka dhe ankimim se si është marrë vendimi, afati, që unë nuk i hyjë më këtyre vendimeve të marra unanimisht nga Këshilli Kombëtar as për datën apo mënyrën se si do të zhvillohej procesi, as numri i kandidatëve q ëu miratuar, nga jashtë ka pasur ankesa, por unë jam i prirur që të respektojë Këshillit Kombëtar të PD që është trupa më e rëndësishme për vendimmarrjet politike. Diskutimet që trazojnë këtë vendim mendoj që nuk kanë vlerë as për publikun as përplasjeve të panevoshme.  Sa i përket punës së Komisionit, është i formatuar, kemi kaluar një diskutim të parë për shumë çështje, ka pasur pyetje dhe diskutime, debate të mirëkuptuara mes anëtarëve për të zgjidhur çështje që kishte mendime dhe dyshime nëse qëndrojnë.  Do ia dalim, më shumë se Kryesitë e degëve nuk kanë sjellë treshen e vëzhguesve se kush do jenë, nëse nuk ia dalim nesër do presim një ditë apo dy. Lidhur me logjistikën, te sektori i burimeve njerëzore vijnë axhendat e stafeve të kandidatëve që të mos ketë përplasje në kohë që të zhvendoset njëri ose tjetri që ë kenë mundësi që të zhvillojnë takimet e tyre, pra të mos kenë takim brenda në ditë apo përplasje në orare. Nuk ka pasur keqkuptime në grafikun e takimit. Kryesitë e degëve janë të detyruara që të bëjnë njoftime, të sigurojnë ambientet, kandidatët nëse duan staf të marrëdhënieve me publikuan që të kenë në dispozicion, secili prej kandidatëve do ketë të njëjtën mbështetje logjistike”, përfundoi Gjana në Report Tv.

Nesër është afati i fundit që 4 kandidatët të dorëzojnë emrat e vëzhguesve për 76 Qendra Votimi për zgjedhjet e 13 qershorit, e po ashtu të gjithë degët janë të detyruara që brenda datës 3 Qershor të dorëzojnë emrat e treshes që do të përbëjë komisionin zonal zgjedhor.

Anëtarët e Komisionit Zgjedhor të PD
Kryetar
Jemin Gjana

Anëtarë
Albana Vokshi
Belind Kelliçi
Eno Bozdo
Mimoza Hasekiu
Albert Avduli
Gjokë Vuksani

Ndihmës
Ervin Minarolli
Lulzim Omuri

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re