Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë ”arrest me burg” për Albert Zajën, personin e vetëm të arrestuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur në datën 1 Shkurt në Fier.

Burime bëjnë me dije për gazetaren e Fax News Fatmira Bajrami, se Zaja e ka pranuar përfshirjen në krim, dhe është shprehur i frikësuar nga hasmëria.

‘Kam dijeni për krimin, nuk dua të shkoj në burgun e Fierit pasi kam frikë nga hasmëria. Atë dirë kam qënë në Vlorë me makinën e një shokut tim’, mësohet se është shprehur në sallën e gjyqit Albert Zaja.

Ai ka kërkuar që të mos dërgohet në burgun e Fierit, pasi i druhet një hakmarrje nga persona të njohur me familjen e Kastratit, i cili së bashku me të vëllanë e tij, ishte një personazh i njohur për Policinë e Fierit, pasi ishin të dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytet.

Albert Zaja u arrestua të dielën gjatë një operacioni të RENEA-s, ndërsa u përpoq që të fshihte armën në baltë. Ky ishte operacioni i katërt që Policia organizonte për kapjen e tij, ndërkohë që vijojnë të jenë në kërkim 3 persona të tjerë për vrasjen e Kastratit.

Ata janë: Elmir Tufa, 29 vjeç që së bashku me Zajën janë banues Fushë Krujë, Silvio Cara, 39 vjeç, Elson Xheçuka, 27 vjeç, banues në Kamzë e Tiranë. Tufa në një intervistë televizive e ka mohuar përfshirjen në vrasje, megjithëse ka pranuar që me Zajën kanë pasur njohje për shkak se kanë qenë nga i njëjti fshat.

(E.K/Faxweb.al)

loading…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re