Lëvizja Socialiste për Integrim, e njohur si një forcë politike me në fokus rininë duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për deputetët e ardhshëm që do ulen në parlament.

Gjithçka është në dorën e kryetares së LSI Monika Kryemadhit, e cila kandidoi në dy qarqe, Tiranë dhe Fier, por duhet të zgjedhë vetëm njërin prej tyre se ku do të marr mandatin.

Por deri atëherë ekzistojnë disa mundësi se kush do të jetë krah saj legjislaturën që vjen dhe ne po ju parashtrojmë të gjitha teoritë, edhe pse theksojmë se në fund vendimi i përket kryetares e në të kundërt nëse ajo nuk e ndan mendjen deri në mbledhje të KQZ brenda javës do e parashikojë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.

Në rast se Kryemadhi do të zgjedhë të përfaqësojë qarkun e Tiranës ku ka marrë edhe më shumë vota nga 2436 zgjedhës, nënkryetari i kësaj partie Petrit Vasili digjet dhe i hapet rruga politikanes së re Kejdi Mehmetajt e cila është renditur e dyta në Fier.

Situata komplikohet në rast se kryetarja e LSI do të zgjedh të jetë deputete në qarkun e Fierit, ku Petrit Vasili edhe pse është i renditur i treti ka marr vetëm 361 vota preferenciale dhe ai sërish rrezikon pasi në bazë të kodit zgjedhor do të ketë një rirenditje të listës mes kandidatëve me numrin më të lartë të votave parapëlqyese.

Në këtë mënyrë shanse më shumë ka Përparim Spahiu që ka 3402 vota, më shumë së të gjithë kandidatët e tjerë edhe se vetë kryemadhi. Por ky rregull nuk zbatohet në rast do të respektohet kuota gjinore duke i dhënë përparësi gjinisë më pak të përfaqësuar. Si rrjedhojë favorizohet Floida Kërpaçi që është vajza më e votuar nga lista humbëse e LSI për Tiranën. E sigurt vetëm për LSI mbetet Erisa Xhixho që renditet e dyta, edhe pse ka thjesht rreth 1000 vota.

Ashtu si Monika Kryemadhi e cila akoma nuk e ka përcaktuar mandatin që do mbajë, edhe kryetari i partisë socialiste Edi Rama që arriti të sigurojë mandatin e deputetit në dy qarqet që kandidoi, në Vlorë dhe në Durrës ende nuk e ka bërë zgjedhjen.

Mbetet për tu parë nëse Rama do të mbajë mandatin në qarkun e Durrësit ku është më i votuar me mbi 15 mijë vota apo do të vazhdojë të jetë deputet i Vlorës si në zgjedhjen e shkuar ku mundi të merrte rreth 11 mijë vota.

Megjithatë cilado qoftë zgjedhja e kryesocialistit çështja nuk vështirësohet pasi zëvendësimi do të bëhet nga kandidati pas tij, që në ketë rast janë të dyja gra. Gara këtë herë brenda llojit është mes Ana Dhamos së Durrësit me rreth 2000 vota dhe Teuta Ramaj të Vlorës me mbi 1700 vota, ku fitimtaren do ta shpallë Edi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re