15 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Beratit, Nasip Naço tha sot nga takimi me qytetarë në këtë qytet se “ne vijmë për mandatin 5-të dhe me pak vota ne marrim të 6-tin dhe dua që të gjithë të përkushtoheni për këtë mandat”.

“Shumë nga ju me të drejtë mund të pyesin, se deri dje të kemi parë deputet të LSI-së. Po, është e vërtetë. Unë jam larguar nga ajo forcë politike sepse vetëm eksperimente të dështuara po bënte vitet e fundit. Deri dje na thonin që Luli të gënjen edhe për orën, pastaj ditën tjetër thoshin, Lulin e duam Kryeministër, sot do rrëzojmë Ramën, pastaj do ikim nga parlamenti, do dorëzojmë mandatin, pastaj nuk do hyjmë për bashkitë, me dhjetëra dështime të asaj force politike”, tha ai.

Naço shtoi se “sot jam me ju dhe jam me fat që jemi bashkë me Kryeministrin Rama”.

“E kam njohur kur isha ministër i Drejtësisë dhe më ka mbështetur më shumë se ata që më propozuan për ministër sepse Reforma në Drejtësi ka qenë kryefjala”, vijoi Naço.

“Vetëm në një vit e gjysmë janë propozuar nga ana ime dhe mbështetur nga kryeministri 44 gjyqtarë nga këto 24 për shkarkim sa nuk ishin bërë për 20 vjet. Por çfarë ndodhte? Nëse unë e propozoja një gjyqtar për shkarkim se kishte 3 milionë dollarë të pajustifikuara, ditën tjetër ata që ishin miqtë e mi, rrinin e drekonin më ta. Kjo kohë ka kaluar, reforma ka akoma shumë për të bërë dhe ne duam sot që të jap dhe unë kontributin tim. Bashkë me dhjetëra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së të cilët më kanë kërkuar që të kandidoj për Partinë Socialiste, por brenda tyre, pra ata të më japin kontributin të më mbështesin dhe janë rreth 70-85% e 20 mijë votuesve në qarkun e Beratit. Më thonë do të mbështesim nëse je brenda PS-së. Falenderoj zotin Rama që më ka hapur dyert e PS-së dhe tani më takon mua që të kthej me dhjetëra simpatizantë të LSI-së për ta shtuar vlerën, për t’i dhënë një mandat të tretë PS-së për të qeverisur vendin”, th ai.

Po ashtu, Naço tha se “unë dhe miq të mi i kemi një borxh PS-së, pasi nga viti 2009 vetëm i kemi hequr vota në këtë qark. Siç me tha dhe një miku im, na ishit bërë si guri në këpucë dhe nuk na linit të vraponim”.

“Kjo forcë politike ka nevojë të vrapojë, ne këtë gurë e kemi hequr. Ju e dini se në qarkun e Beratit të 7 kandidatë që ishin në vitin 2017, nuk janë më por janë të gjithë bashkë me PS, prandaj them se mandati i 5 është i sigurt dhe të bëhemi bashkë të fitojmë mandatin se marrim mandatin e 6-të. Edi Rama meriton më shumë dhe një herë t’i japim mundësinë të qeverisi Shqipërinë. Unë i besoj Edi Ramës se kam qenë përkrah tij për reformën në drejtësi, ka bërë atë që nuk u bë në 20 vite”, tha Naço. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re