Kryetari i PD-së Lulzim Basha nga Tropoja deklaroi se dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin si fitore të Ramës dhe jo një masakër zgjedhore, mund të çojë në përçarje. Basha iu ka kërkuar anëtarëve të PD-së që të vendosin Partinë Demokratike mbi veten e tyre.

Deklarata e plotë e kreut të PD-së Basha në Tropojë:

Së pari për qarkun e Kukësit në përgjithësi e për Tropojën në veçanti nuk mund t’i gjej fjalët e mirënjohjes për ato që keni bërë. Me këtë betejë që s’kishte asnjë lidhje me zgjedhjet demokratike. Sepse ketu siç e dimë fare mirë ka vite që revanshi i regjimit e ka kthyer atë që duhet të jetë përballje mes kundërshtarëve politikë në një hakmarrje të verbër primitive mbi ju, mbi familjet tuaja, mbi demokratët praktikisht pra, mbi shumicën dërrmuese të qytetarëve të këtij qarku e të kësaj bashkie. Por kundër kësaj me vlerat me të mira që kemi në zemër, me programin e zgjedhjeve më të qarta e të realizueshme që parashtuam para njerëzve pas vite konsultimi me ta e prekje të problemeve të tyre që kërkonin zgjidhje akute, pas besimit të patundur se në këtë betejë nuk ishim për karrigen time e për karriget tuaja por ishim për të ndyshuar fatin e tyre, të familjeve të tyre për të ndryshuar fatin e Shqipërisë.

E bëtë këtë dhe kusht me uzurpimin të bashkisë drejt sjelljes shtazarake të uzurpatorit i cili më keq se në 91-in, bënte presion të drejtëpërdrejtë jo thjesht përmes instrumentave të pushtetit vendor dhe instrumentave të pushtetit qendror, por duke shantazhuar dhe intimiduar edhe ata që vinin në takimet e Partisë Demokratike apo kamdidateve tanë.

Siç e dini fare mirë nën drejtimin tim dhe me vendimet e mia, janë ndërmarrë disa prej akteve më të paprecedentë në 30 viteve pluralizëm. Por nuk janë ndërmarrë as për veten time dhe as për fatin tuaj, janë ndërmarrë për ta çliruar Shqipërinë nga ky regjim. Djegia e mandateve kishte një dhe vetëm një objektiv: zgjedhje të parakohshme dhe shembjen një orë e më parë të një parlamenti të dalë nga një tjetër palë zgjedhjesh ilegjitime siç ishin ato të 2017-ës. Sot është e lehtë të rishkruash historinë sepse siç e thotë populli “të mençur pas Kuvendit e trima pas lufte ka boll”, por ne duhet të kujtojmë e duhet të jemi të vetëdijshëm se pa këto beteja do të shkonim duke u zvarritur drejt 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasadave të regjimit dhe jo ballë për ballë regjimit dhe njësoj e bërë njësh me qytetarët, të cilëve ua kthyem bashkë me mandatet edhe besimin. Se edhe betejat ne do të luftojmë e do t’i çojmë deri në fund për ta dhe familjet e tyre. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër sepse njësoj si në 91-shin njerëzit na ndoqën e na besuan.

Unë kam një ftesë ndaj jush: mos t’i lemë shqiptarët në mes të rrugës, mos t’i lëmë pikëpyetejet e tyre para 25 prillit, që pas 25 prillit janë bërë e më të mëdha, edhe më të dhimbshme, sepse nuk kanë marrë përgjigje nga ato të blektorëve në bjeshkët më të thella, tek ato të sipërmarrjes në qendrat urbane. Nga pikëpyetjet për ekonominë, tek ato për sigurinë e deri tek ato për integrimin europian mos t’i lëmë pa përgjigje, sepse të vetmit që mund t’i japim përgjigje jemi ne. Ka një dhe vetëm një rrugë përpara, që kjo është rruga e betejës me të keqen. Kështu jemi ringritur sa herë jemi goditur nga pabesitë e fatit apo të kundërshtarëve.

Të gjitha arritjet e mëdha të këtij vendi kanë vulën tonë, kanë vulën tuaj, gjithçka, që nga rrëzimi i komunizmit dhe demokracia, që nga futja në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, statusi kandidat, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturorë kanë vulën e demokratëve, kanë vulën e Partisë Demokratike, kanë padiskutim vulën me nënshkrim e Sali Berishës. Ndaj, le ta zhvillojmë këtë proces statutorë që na e diktojnë rregullat e brendshme duke e konsideruar një vlerë të shtuar dhe një oportunitet, një mundësi, por po kështu të mos harrojmë se beteja e vërtet është me kundërshtarin, me armikun më të egër të demokracisë dhe të shqiptarëve, me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit dhe kriminelëve me të cilët ka ndaluar përkohësisht aspiratën e Tropojës dhe të Shqipërisë për ndryshim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re