Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha flet për herë të parë për djegien e mandateve gjatë turit që po zhvillon për zgjedhjet e 13 qershorit në parti.

Gjatë takimeve me demokratët në Tropojë, ai tha se djegia e mandatave ishte një nga vendimet më të paprecedenta të marrë në 30 vite pluralizëm në vend, po që kishte vetëm një qëllim, atë të zgjedhjeve të parakohshme.

“Siç e dini fare mirë nën drejtimin tim dhe me vendimet e mia, janë ndërmarrë disa prej akteve më të paprecedentë në 30 viteve pluralizëm.

Por nuk janë ndërmarrë as për veten time dhe as për fatin tuaj, janë ndërmarrë për ta çliruar Shqipërinë nga ky regjim.

Djegia e mandateve kishte një dhe vetëm një objektiv: zgjedhje të parakohshme dhe shembjen një orë e më parë të një parlamenti të dalë nga një tjetër palë zgjedhjesh ilegjitime siç ishin ato të 2017-ës”, tha ai.

Duke mbrojtur këtë vendim, Basha theksoi se pa këto beteja do të shkonin në zgjedhjet e 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasada të regjimit dhe jo ballë për ballë regjimit.

“Sot është e lehtë të rishkruash historinë sepse siç e thotë populli “të mençur pas Kuvendit e trima pas lufte ka boll”, por ne duhet të kujtojmë e duhet të jemi të vetëdijshëm se pa këto beteja do të shkonim duke u zvarritur drejt 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasadave të regjimit dhe jo ballë për ballë regjimit dhe njësoj e bërë njësh me qytetarët, të cilëve ua kthyem bashkë me mandatet edhe besimin.

Se edhe betejat ne do të luftojmë e do t’i çojmë deri në fund për ta dhe familjet e tyre. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër sepse njësoj si në 91-shin njerëzit na ndoqën e na besuan”, tha ai.

Teksa përmendi që të gjithë arritjet e Shqipërisë mbajnë vulën e demokratëve, Basha u kërkoi atyre që të mos lënë në mes betejën me të keqen, që sipas tij është regjimi Rama-Doshi.

“Unë kam një ftesë ndaj jush: mos t’i lemë shqiptarët në mes të rrugës, mos t’i lëmë pikëpyetejet e tyre para 25 prillit, që pas 25 prillit janë bërë e më të mëdha, edhe më të dhimbshme, sepse nuk kanë marrë përgjigje nga ato të blektorëve në bjeshkët më të thella, tek ato të sipërmarrjes në qendrat urbane.

Nga pikëpyetjet për ekonominë, tek ato për sigurinë e deri tek ato për integrimin europian mos t’i lëmë pa përgjigje, sepse të vetmit që mund t’i japim përgjigje jemi ne. Ka një dhe vetëm një rrugë përpara, që kjo është rruga e betejës me të keqen. Kështu jemi ringritur sa herë jemi goditur nga pabesitë e fatit apo të kundërshtarëve.

Të gjitha arritjet e mëdha të këtij vendi kanë vulën tonë, kanë vulën tuaj, gjithçka, që nga rrëzimi i komunizmit dhe demokracia, që nga futja në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, statusi kandidat, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturorë kanë vulën e demokratëve, kanë vulën e Partisë Demokratike, kanë padiskutim vulën me nënshkrim e Sali Berishës.

Ndaj, le ta zhvillojmë këtë proces statutor që na e diktojnë rregullat e brendshme duke e konsideruar një vlerë të shtuar dhe një oportunitet, një mundësi, por po kështu të mos harrojmë se beteja e vërtet është me kundërshtarin, me armikun më të egër të demokracisë dhe të shqiptarëve, me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit dhe kriminelëve me të cilët ka ndaluar përkohësisht aspiratën e Tropojës dhe të Shqipërisë për ndryshim”, u shpreh Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re