Numri i të vdekurve nga shembja e një pjese të mbikalimit të metrosë në kryeqytetin meksikan, Meksiko, është rritur në 23, kurse të paktën 70 persona u plagosën.

Një pjesë e mbikalimit në të cilën operon një nga linjat kryesore të metrosë u shemb të hënën në mbrëmje, duke bllokuar dhjetëra njerëz.

Kryebashkiakja e kryeqytetit meksikan, Claudia Sheinbaum, deklaroi se shumica e të plagosurve u dërguan në spital menjëherë pas aksidentit. “Ne do të kryejmë të gjitha hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit”, tha Sheinbaum.

Linja numër 12 është e fundit që është inkuadruar në sistemin e metrosë meksikane, kurse në përdorim për herë të parë u lëshua në 2012. Linja lidh pjesët jugore dhe jugperëndimore të kryeqytetit meksikan.

Videot e postuara në mediat sociale tregojnë një makinë të bllokuar nën rrënoja, dhe dhjetëra ekipe të shpëtimit që kërkojnë rrënojat e strukturës së shembur. Mbikalimi ishte rreth pesë metra mbi rrugën në jug të qytetit të Meksikës.

Metroja në Meksiko City, një nga më të mëdhenjtë dhe më të ngarkuarit në botë, ka përjetuar të paktën dy aksidente të rënda që nga hapja e saj gjysmë shekulli më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re