Ndryshimet më të fundit në ligjet procedurale civile, administrative dhe penale, për hartimin e të cilave Gjykata e Lartë ka dhënë kontributin e saj, ishin në qendër të takimit online me titull: “Garantimi i efektivitetit të gjykimit në Gjykatën e Lartë”.

Ky takim është organizuar të enjten, nga Gjykata e Lartë me mbështetjen e misionit EURALIUS V, me qëllim njohjen e praktikantëve të së drejtes me këto ndryshime. Në të merrnin pjesë, krahas gjyqtarëve të të gjitha niveleve, avokatëve, juristëve dhe pedagogëve nga Shkolla e Magjistraturës, edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Zj. Yuri Kim dhe përfaqësuesja e OPDATE Zj. Michelle Lakomy.

Zëvendëkryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, në fjalën e tij të hapjes së këtij takimi u shpreh se kishte ardhur koha që rritja e besimit të publikut tek kjo gjykatë të shoqërohej edhe me marrjen e disa hapave të rëndësishëm ligjorë, sikurse janë ndryshimet e fundit procedurale, në mënyrë që të arrihej eficenca dhe efektiviteti i gjykatës. Z. Sadushi ka vlerësuar dhe përshëndetur rolin e të gjithë aktorëve pjesëmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, duke veçuar ndihmën e pakursyer edhe të Ambasadorit të Bashkimit Evropian Z.Luigi Soreca, misionit EURALUS V, si edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nëpërmjet OPDAT.

Z. Sadushi bëri një përmbledhje të detajuar të të gjithë ndryshimeve të cilat hynë në fuqi në datën 29 maj 2021, duke theksuar se kjo gjykatë ka marrë tashmë një ridemensionim të ri duke e sjellë atë më pranë qytetarit. “Ndryshimet e fundit e kanë vënë Gjykatën e Lartë përpara një përgjegjësie më të madhe, pasi i kemi kërkuar ne këto ndryshime dhe miratimi i tyre sjell padyshim rritjen e përgjegjësisë për zbatimin e tyre korrekt nga kjo gjykatë”,- u shpreh Z. Sadushi.

E ftuar në këtë takim, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Zj. Yuri Kim, në fjalën e saj përshëndetëse, shprehu edhe një herë mbështetjen e SHBA kundrejt zbatimit të reformës në drejtësi dhe veçanërisht ndihmës konkrete që po i jepet Gjykatës së Lartë nëpërmjet Marrëveshjes së Mirëkuptimit për përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.

Zj. Kim vlerësoi qartë faktin se, Gjykata e Lartë sot është më tëpër funksionale sesa një vit më parë dhe kjo shihet nëpërmjet rezultateve konkrete që po arrin trupa gjyqësore. “Këto ndryshime të fundit përbëjnë një moment të rëndësishëm historik në përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe do të lehtësojnë shqyrtimin e çështjeve nga Gjykata e Lartë. Shqipëria ndodhet në kulmin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të nxisin vazhdimësinë e punës së nisur, pavarësisht pengesave apo vështirësive që mund të dalin përpara, sado sfiduese të jenë ato”.

Në lidhje me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, ambasadorja Kim u shpreh: “Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit”.

Takimi u pasua nga diskutime të pjesëmarrësve të cilët shprehën mendimet e tyre në lidhje me temën e këtij takimi.
Z. Sadushi prezantoi në përfundim të takimit edhe Broshurën Informative të botuar për këtë rast, me mbështjetjen e misionit EURALIUS V, e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë praktikantëve të së drejtës, si edhe e publikuar online në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re