Të tërheqësh për të mbijetuar rrjeta për kapjen e karavidheve në mes të detit, është një punë që sjell me vete njëfarë vetmie. Por kjo ka qenë për dekada me radhë jeta e një peshkatari, i quajtur Xhon Makovski. Ama ndryshe nga shumë të tjerë, sa herë ky peshkatar del në det, e ka një ‘shoqërues’.

E ka “takuar” mbi një dekadë më parë dhe që nga ajo kohë, ‘vizitorja” e gjen thuajse përherë në det varkën e tij në gjirin e Mejnit në SHBA.

Xhon i ka vendosur një emër mikeshës të tij, e quan ‘Sykuqja’. Këtë pulëbardhë e gjen përherë në varkën e Xhonit, sa herë që ai del në det për të peshkuar karavidhe.

“Ajo vjen sa herë dal në det. Afrohet tek dritarja dhe më sheh”-tregoi për CBS Xhoni.

Por në muajt e parë të vitit që lamë pas, pulëbardha u ul në anijen e Xhonit me këmbën e dëmtuar. Peshkatari e kuptoi menjëherë se ‘mikesha’ nuk do ta kishte të gjatë të jetonte në atë gjendje. E lejon si përherë të afrohet dhe arrin ta kapë.

E dërgon në një qendër për rehabilitimin e kafshëve e shpendëve të egër. E shoqja kujton kohën kur e pa të shoqin të mërzitur.

“ Më vjen të qaj tani kur e kujtoj, Xhoni ishte shumë i mërzitur”-thotë ajo për CBS.

“Nuk e di pse isha aq emocionalisht i prekur, por më dukej sikur më mungonte një copëz e jetës”-thotë peshkatari.

Ndërkohë stafi i qendrës së rehabilitimit kujdeset për pulëbardhën, ndërsa peshkatari shkonte shpesh atje për ta parë. Me vete sillte peshk. Pas disa javësh, pulëbardha u rikuperua. Xhoni e mori në varkën e tij dhe e lëshoi të lirë… por pavarësisht, pulëbardha vijon të vijë sërish në varkën e tij. Çuditërisht arrin ta gjejë përherë peshkatarin.

Për shumë shekuj kapitenët e anijeve besonin se pulëbardhat mbanin shpirtrat e marinarëve të humbur, e për Xhonin, një peshkatar që prej 4 brezash, ky besim i jep njëfarë qetësie në det… por më shumë se kaq, ai thotë se kjo është diçka më pak ‘mistike’. Është thjesht një ‘miqësi’ mes një njeriu që ‘jeton’ në det dhe një shpendi që fluturon sipër saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re