Në një kohë kur varianti Omicron nuk e ka arritur ende pikun e tij, vendet që lehtësojnë masat kufizuese duhet ta bëjnë këtë dalëngadalë dhe sipas rrethanave specifike të tyre, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Shefi i emergjencave në OBSH, Mike Ryan, i këshilloi vendet që të hartojnë planin e tyre për të dalë nga pandemia dhe të mos ndjekin vendet e tjera kur marrin vendime për të lehtësuar masat kufizuese.
“Nëse i hapni dyert shpejt, do të ishte mirë të jeni në gjendje që edhe t’i mbyllni po aq shpejt,” tha ai.
Afro 22 milionë raste me Covid u raportuan në OBSH gjatë javës së kaluar, duke vendosur një rekord të ri global për rastet e reja javore, tha në këtë konferencë drejtuesja teknike e OBSH-së për Covid-19, Maria Van Kerkhove.
Ajo shtoi, “Ne po bëjmë thirrje për më shumë kujdes, sepse shumë vende nuk e kanë kanë kaluar ende pikun e Omicron. Shumë vende kanë nivele të ulëta të vaksinimit të popullsisë, si dhe një numër të madh individësh që janë më vulnerabël.”
Ajo u bëri thirrje vendeve që të mos i heqin menjëherë të gjitha kufizimet, siҫ i hoqi Danimarka, e cila u bë vendi i parë në Bashkimin Europian që eleminon të gjitha masat kufizuese. Në vend të kësaj, Van Kerkhove këshillon që masat kufizuese të hiqen “në një mënyrë të ngadaltë, pjesë-pjesë, sepse ky virus është mjaft dinamik.”
Ryan shtoi se druhej që presioni politik dhe ai ekonomik mund të ndikonin në rihapjen e parakohshme të shumë vendeve, duke sjellë kështu numër më të lartë të infektimeve dhe të humbjeve të jetëve nga Covid-19.
“Është shumë herët për secilin vend që të dorëzohet ose të shpallë fitoren”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në fillim të konferencës.
Konferenca e mbajtur online solli edhe disa lajme të mira: OBSH konfirmoi se forma e saposhfaqur BA.2 e variantit Omicron, e njohur gjithashtu si “Omicron i fshehur”, nuk duket se është më e rëndë se forma origjinale BA.1.
Gjithashtu, vaksinat vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje të ngjashme kundër formave të ndryshme të Omicron, tha Boris Pavlin, drejtuesi i ekipit të reagimit ndaj Covid-19 në OBSH.
Deri në këtë fazë të pandemisë, janë administruar në total 8 miliardë doza të vaksinave, tha OBSH./Future