16 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Berati se “ne kemi gati paketën më të madhe të investimeve të huaja dhe publike për Shqipërinë që shkon në 10 miliardë euro dhe që janë gati të financojnë ekonominë shqiptare”.

Në një takim elektoral në Berat, Kryeministri Rama përmendi investimet në porte dhe aeroporte, të cilat janë gati.

“Ne mund të projektohemi në të ardhmen jo me dëshira dhe me ide që duan kohën e tyre, por me të gjitha ato projekte dhe programe që kërkojnë vetëm kohën dhe janë të financuara”, tha Rama.

Porti i madh turistik i Durrësit, sipas Ramës, “nuk është një plan e dëshirë por është një projekt me një ndër kompanitë më të mëdha të botës që ka ndërtuar portin turistik të Dubait, projekt që pret të fillojë e të kthehet në kantier”.

“Projekti është bërë, financimi është aty. Ai port bashkë me atë të Vlorës, të Sarandës dhe të Shëngjinit janë 4 porta të reja nga deti për Shqipërinë, që do të sjellin turistë të një kategorie tjetër, të atyre që shpenzojnë më shumë para. Ata do të duan të rikthehen pasi të shohim Shqipërinë dhe do të duan të hyjnë më thellë, të shohin historinë, Beratin se kush nuk sheh Beratin e Gjirokastrën nuk ka parë zemrën e Shqipërisë kulturore e historike”, tha Rama.

Kjo, vijoi Rama, “do të bëjë që të ndryshojë ekonomia e njerëzve të zakonshëm”.

Ndaj Rama ftoi të gjithë ata banorë të Beratit që janë larguar në emigracion apo në qytete të tjera të hapin shtëpitë dhe t’i kthejnë në bujtina e agroturizëm, ndërsa theksoi se “qeveria do t’i mbështesë për të krijuar një zinxhir ekonomik që sapo ka filluar dhe do zgjatet në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë”. /j.p/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re