2 prill Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, njëherazi kandidat i PS-së për qarkun e Beratit u shpreh se “janë mbi 25 milionë euro të investuara nga fonde të ndryshme, për zhvillimin e agropërpunimin, për ngritjen e një sistemi të ri mjetesh për prodhimet bujqësore”.

Në një takim me fermerët në Moravë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, Klosi tregoi mbështetjen që PS ka dhënë për fermerët.

Klosi i cilësoi fermerët si heronjtë të heshtur, e shtoi se qarku i Beratit me ndihmën e tyre do të jetë konkurrues në të gjithë Shqipërinë.

“Për qarkun e Beratit flitet shumë për turizmin dhe të gjithë e njohin Beratin turistik. Por besoj se në mandatin tonë të tretë të flitet më fort për këtë industri të re të ngritur në këtë qark e cila me shifra dëshmon se kemi realizuar një ekonomi të re. Në 4-5 vitet e fundit janë 25 milionë euro të investuara nga fondet e ndryshmet të mbështetjes buxhetore për zhvillimin e agropërpunimit, për ngritjen e një sistemi të ri të grumbullimit të fruta-perimeve”- tha Klosi.

Sipas tij, shifrat janë fakt i suksesit të arritjeve në këtë sektor. “Nga viti 2013 është dyfishuar prodhimi bujqësor qarkun e Beratit. Është rritur kultivimi i prodhimit në sera nga 269 ha të mbjella në 2013 , sot ka 270 ha më shumë. Ndërsa prodhimi në serra është rritur nga 37 mijë tonë në 2013, në 86 mijë tonë në fund të 2020. Po ashtu rritje kanë shënuar edhe eksportet e prodhimeve në serra. Nga 70 500 ton në 2013 sot është rritur në mbi 74 mijë tonë në 2020. Pra kemi pesëfish më shumë prodhime të eksportuara, nga mundi e djersa e fermerëve të kësaj zone”, tha Klosi.

Gjithashtu vijoi ai, “kemi një prodhim të ullirit nga 11 mijë 800 tonë në 2013, në 34 mijë e 62 ton në 2020. Pra janë shifrat që dëshmojnë se këtu është një biznes i ri, por na del ne detyrë që jo vetëm të mbështesim me fonde punën e madhe të këtyre njerëzve, por duhet ta kthejmë këtë qark në më konkurruesin të Shqipërisë”.

“Djemtë dhe vajzat e kësaj zone, po rikthehen në këtë industri të re, që është krijuar në kohën e qeverisë Rama. Nuk kemi më domaten e famshme të serrave të kësaj zone, por kemi prodhime të shumëllojshme, një prodhim të 12 muajve të vitit. Këta janë heronjtë e heshtur. Këta kanë konkurrencën e tyre të brendshëm, siç kemi dhe ne atë të mandatit të deputetit, por të gjithë punojnë me një qëllim. E di shumë mirë energjinë dhe punën e jashtëzakonshme që bëjnë. Punojnë natën me orë të zgjatura, prandaj janë dhe të suksesshëm”, tha Klosi. /a.a/

.