Vonesat e rindërtimit të pallateve në Durrës po shqetësojnë qytetarët çdo ditë e më shumë. Që nga 26 nëntori i vitit 2019, ku tërmeti shkatërroi dhe bëri të pabanueshëm shumë pallatë në qytetin e Durrësit, banorët po presin që tu rindërtohen shtëpitë e tyre. Të pyetur nga Ora News, disa banorë kanë deklaruar se Bashkia dhe Qeveria e ka neglizhuar komplet rindërtimin e pallateve dhe se paratë që janë ndarë për rindërtimin e tyre janë dhënë diku tjetër. Ata janë shprehur se Bashkia Durrës bën sikur çdo gjë është në rrëgull, ndërkohë që pallatet e tyre po shëmben.

“Pallati jonë është i dërrmuar dhe këta bëjnë sikur gjithçka është në rregul. Pallati po i kap njerëzit brenda,” tha një banor.

“Po rrimë me qira dhe kur t’i teket atyre të na japin bonusin. Nuk është e drejtë kjo, të rrijë ky pallat me 100 persona pa u marrë në konsideratë, kjo është një neglizhencë e bashkisë. Paratë që do hidheshin këtu i ndanë për tjetër punë,” tha një tjetër banor.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako është shprehur se rindërtimi po ecën me ritme të shpejta dhe se ata si bashki i kanë ndihmuar banorët dhe u kanë dhënë atyre dëmshpërblime për të gjitha dëmet që kanë patur në banesa.

“Nëse do flasim me shifra ne kemi dhënë ndihmë për 12 mijë familje, pra 12 mijë familje kanë marrë dëmshpërblimin për dëmet e brendshme që kanë pasur në banesë. Kemi përfunduar rreth 400 objekte, pallate të cilat janë riparuar ambientet e përbashkëta, shkallët,” tha Sako.

Në lidhje me disa nga protestat që kanë ndodhur në Durrës për mungesë të përkrahjes, Sako ka thënë se i kupton banorët pasi kanë kaluar një periudhë të rënduar. Ajo gjithashtu është shprehur se bashkia i ka ndenjur pranë çdo banori në problemet e tua.

“Protestat kanë qenë normale sepse njerëzit kanë qenë të shqetësuar dhe sigurisht që në mungesë të strehës sfida për të jetuar është shumë e madhe. Ne kemi ndenjur pranë çdo qytetari, kemi trajtuar çdo problem në mënyrë specifike, unike, me dokumentacion, me trajtimin e bonusit e të tjera më radhë,” tha Sako.

Tërmeti që shkaktoi shkatërrimin e dhjetra pallateve dhe banesave në Durrës, Thumanë dhe Tiranë ra në 26 nëntor të vitit 2019. Nga ky tërmet humbën jetën 51 persona, ndërkohë që mijëra të tjerë mbetën të lënduar.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re