Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë publikuar listën e produkteve me origjinë nga Kina ndaj të cilëve presidenti Donald Trump ka planifikuar të zbatojë taksa shtesë prej 25 për qind, që përfshin afër 1.300 lloje të produkteve me vlerë tregtare prej 50 miliardë dollarësh kryesisht nga sektori i mbrojtjes, aviacionit dhe prodhimit.

Përfaqësia Amerkane e Tregtisë (USTR) përmes një dokumenti shpalosi për opinionin pjesën e parë të masave tregtare ndaj Kinës, si kundërpërgjigje të asaj që SHBA e ka quajtur përpjekje për t’i plaçkitur teknologjitë dhe pronat intelektuale të kompanive amerikane.

Sipas dokumentit, planifikohen tarifa doganore shtesë prej 25 për qind ndaj afër 1.300 produkteve të importuara nga Kina. Në listë janë përfshirë produkte të ndryshme, përfshirë reaktorët bërthamorë, komponimet e toriumit dhe uraniumit, hekuri, çeliku, alumini dhe aliazhet që përmbajnë këto metale, turbinat e gazit, furrat, makinat për lëngëzim të gazit dhe ajrit, fermentet laktike, si dhe disa barna dhe vaksina.

“Vlera e listës është rreth 50 miliardë dollarë, sa i përket vlerës vjetore të vlerësuar të tregtisë për vitin kalendarik 2018. Kjo shumë është e përshtatshme në dritën e dëmit të vlerësuar ndaj ekonomisë amerikane dhe për të siguruara eliminimin e akteve, politikave dhe praktikave të dëmshme të Kinës”, thuhet në dokumentin e USTR-së, të përgatitur me qëllim që të merret koment publik.

Pritet që pas komenteve, lista të marrë formën përfundimtare brenda 60 ditëve.

USTR njoftoi se do të mbajë një dëgjim publik më 15 maj dhe se komentet mund të dorëzohen deri më 22 maj.

Ekspertët paralajmërojnë se shumica e bizneseve në SHBA do të kundërshtojnë propozimin, pasi tarifat do të dëmtonin kompanitë amerikane dhe konsumatorët që përfitojnë nga produktet më të lira nga Kina.

Publikimi i listës vjen pas kundërpërgjigjes së të hënës nga Ministria kineze e Financave.

Pekini zyrtar paralajmëroi tarifa prej 15 deri në 25 për qind ndaj 128 produkteve të importuara nga SHBA në vlerë prej tre miliardë dollarësh si kundërmasë ndaj tarifave amerikane në importet e çelikut dhe aluminit, shkruan aa. Tregjet ndërkombëtare pësuan lëkundje pas shqetësimeve se masat e dy vendeve mund të inicojnë një luftë tregtare, ndërkohë që bursat regjistruan humbje të mëdha të vlerave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re