Policia e Beratit jep detaje për sherrin në një lokal, në “Dëshmorët e Kombit”, ku u plagos efekti Juljan Xhelili, 24 vjeç.

Policia sqaron se sherri në lokal ka nisur mes disa familjarëve, ku në momentin e ndërhyrjes së policisë, tre vëllezërit e përfshirë në konflikt, kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar t’i marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se vëllezërit që kanë dhunuar efektivët janë Gerald Marini, 38 vjeç, Marjus Marini, 42 vjeç, dhe Arjan Marini, 40 vjeç, përdorues të lëndëve narkotike.

Berat/informacion paraprak

Sot rreth orës 20:20, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se në lagjen “Dëshmorët e Kombit” shtetasit G.M., M.M. dhe A.M (vëllezër) po konfliktoheshin me shtetasit A.M dhe bashkëshorten e tij shtetasen O.M .

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku kanë ndërhyrë për shuarjen e konfliktit.

Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, tre vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar ti marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë J.Xh, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Berat, nën kujdesin e mjekëve.

Nga shërbimet e policisë është bërë, neutralizimi dhe shoqërimi i personave në konflikt dhe është siguruar vendi ngjarjes.

Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vijon puna intensive për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re