Kompania JBS Foods, furnizuesja më e madhe e mishit në botë u detyrua të mbyllë dje operacionet në Australi dhe Amerikën e Veriut, pasi u vu në shenjestër të një sulmi kibernetik gjatë fundjavës, njoftuan drejtuesit e saj. Autoritetet thonë se po punojnë për të zgjidhur problemin.

Kompania e ka selinë në Brazil. Filiali i saj në Shtetet e Bashkuara nxori një deklaratë pas sulmit ku thotë se “po merren masa të menjëhershme, përfshirë ndaljen e operacioneve në sistemet e prekura nga sulmi, njoftimin e autoriteteve dhe aktivizimin e rrjetit global të specialistëve si dhe të ekspertëve të jashtëm,” për të adresuar problemin, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Disa operacione si me furnizuesit ashtu edhe me konsumatorët mund të hasin në vonesa për shkak të sulmit, tha kompania përmes një deklarate.

Për momentin nuk ka shenja se të dhënat personale të konsumatorëve janë kompromentuar, thuhet në deklaratë. Kompania operon në Kanada, Britani, Evropë, Zelandën e Re dhe Meksikë./VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re