Të dërguarit e posaçëm të SHBA-së dhe OKB-së për Jemenin, Tim Lenderking dhe Martin Griffiths kanë bërë thirrje për një armëpushim urgjent në këtë vend.

Në një deklarate nga llogaria e Byrosë për Çështjet e Lindjes së Afërt të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se Lenderking dhe Griffiths janë takuar në kryeqytetin e Jordanisë, Aman. Në takim është trajtuar vizita e fundit e Griffiths në Sana.

Palët bënë thirrje për një armëpushim urgjent dhe gjithëpërfshirës në mbarë vendin për të siguruar ndihmat humanitare që ka nevojë populli jemenas.

Jemeni është përfshirë nga kriza që kur rebelët Huthi të mbështetur nga Irani pushtuan pjesën më të madhe të Jemenit në vitin 2014, përfshirë edhe kryeqytetin Sana. Kriza u përshkallëzua edhe më tepër kur në vitin 2015, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite filloi një ofensivë në mbështetje të qeverisë jemenase.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re