Me bindjen se Lëvizja Për Ndryshim do jetë një faktor i rëndësishëm politik për krijimin e qeverisë së re, Jozefina Topalli është e qartë në rrugën që do të ndjekë pas 25 prillit.

Duke i besuar nuhatjes së saj politike, që thotë se nuk e ka zhgënjyer kurrë, ajo është shprehur e sigurt, se asnjë nga 2 partitë e mëdha, PD-PS nuk do marrë dot votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, e nisur nga kjo, Topalli ka zbuluar në Report Tv që do të negociojë me demokratët.

Megjithatë, ka një kusht, që Basha të mos jetë kryeministër, por Shqipëria të ketë një ‘Mario Draghi’ shqiptar. Nëse fiton PS-ja, Topalli e përjashton si mundësi bashkëpunimin me ta, por thotë se do të bëjë opozitë të fortë kundër Edi Ramës dhe personave që e mbajnë atë në pushtet.

“Me Ramën kryeministër jo. Nuk negocioj. As Rama, as Basha, as Ilir Meta. Ne mund të gjejmë Mario Draghi tonë shqiptar, i pakorruptueshëm.

Prioritet kam një negociatë me PD-së për një Draghi shqiptar. Nëse fiton PS, do jem në opozitë të fortë kundër Edi Ramën dhe atyre që e mbajnë në pushtet”, tha ndër të tjera Topalli në studion e Report Tv.

Për kryetaren e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, 3 kryetarët e partive më të mëdha në vend, përfshirë këtu edhe presidentin Ilir Meta, druhen nga marrëveshjet e fshehta me njëri-tjetrin. E ftuar në ‘Repolitix’ në Report Tv, Topalli tha se Rama synon thyerje me Bashës dhe Metës, ndërkohë nga ana tjetër, ky i fundit i druhet një pakti të fshehur mes tij dhe kreut të qeverisë.

“3 kryetarët dyshojnë për njëri-tjetrin. Rama dyshon që Lulzim Basha me të cilin ka bërë një marrëveshje, do që të ketë thyerje mes Bashës dhe Metës, Meta dyshon që Basha do të hyjë në qeveri me Ramën. Po ndodh ajo që Rama ka thënë se kjo është një lojë shahu”, tha Topalli.

Përballë gazetarit Denis Minga, Topalli u shpreh e bindur se Meta po merret me fushatën e LSI-së, e sipas saj, këtë nuk po e fsheh aspak.

“Meta merr pjesë në zgjedhje dhe këtë e dinë të gjithë, vendi i presidentit është vakant se presidenti është në fushatë dhe nuk e fsheh këtë”, tha ajo.

“Lufta” e Lëvizjes për Ndryshim është pikërisht kundër këtyre 3 kryetarëve të partive, të cilët Topalli,  i cilësoi si “elefantë të politikës”, duke bërë akuzë të fortë duke thënë që qëndrojnë ‘ grupe të fuqishme ekonomike dhe grupe të të fortësh’.

“Është një fushatë atipike se jetojmë në një kohë jo normale dhe ka ndryshuar në shfaqjen e fushatës, atipike se kanë mbizotëruar 3 persona, jo 3 parti, ndryshe se ka një përpjekje për të hyrë në skenën politike shqiptare lëvizje të reja, duke patur përballë 3 elefant me grupe të fuqishme ekonomike dhe grupe të të fortësh.

Ato kanë pushtetin ekonomik dhe politik, herë në sipërfaqe dhe herë në mënyrë të fshehur këtë e dinë të gjithë, kam folur në parlament prej 7 vitesh, për një fenonim që ka krijuar një përshtjellim të të tërë.

Lëvizja për Ndryshim e ka pasur të qartë që në fillim që ka qenë një sfidë, po dhe politika ka vështirësitë e veta dhe po nuk bëre beteja nuk mund të shpresosh për ndryshim. Bëhet fjalë për Ramën, Bashën dhe Meta”, tha Topalli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re